Kosova kryen stërvitjen e radhës para udhëtimit për në Zvicër
Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar edhe stërvitjen e dytë para udhëtimit për në Bazel, ku do të përballet me Zvicrën.
FFK shkruan se “Dardanët” kanë kompletuar stërvitjen pavarësisht kushteve të vështira të motit, me rrebesh shiu dhe erëra të forta.
Futbollistët përpos punës në fushën e gjelbër, përzgjedhësi Gliha dhe stafi i tij kanë punuar edhe në aspektin teorik, duke bërë videoanaliza të stërvitjeve të kaluara dhe lojës së fundit.
Përndryshe, “Dardanët” do të zhvillojnë edhe një stërvitje të enjten para se të nisën të premten për në Zvicër.
Ndër të tjera grupit i janë bashkuar edhe dy mbrojtësit Mërgim Vojvoda dhe Florent Hadërgjonaj, që s'ishin të pranishëm ndaj Izraelit.
Kosova pas fitores ndaj Izraelit do të përballet me “Helvetikët” këtë të shtunë me fillim nga ora 20:45.
Ndërkohë, Kosova mbetet matematikisht në garë për t’u kualifikuar por duhet një mrekulli që të bëhet realitet.
Në fakt shanset e Kosovës mund të bien poshtë qysh sonte (e mërkurë) nëse Zvicra triumfon kundër Izraelit.