Kosova e ‘shpartallon’ Zvicrën, e mposht me mbi 25 pikë dallim - NACIONALE

Kosova e ‘shpartallon’ Zvicrën, e mposht me mbi 25 pikë dallim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës i ka dhënë leksion Zvicrës në kuadër të kualifikimeve për EuroBasket.

“Dardanët” ishin të jashtëzakonshëm duke shënuar fitore me rezultat të thellë 76:49 (18:16, 23:8, 27:14, 8:11).

Çereku i parë ishte tejet i barabartë me Kosovën që e mbylli vetëm me dy pikë epërsi 18:16.

Mirëpo, kosovarët treguan forcën në çerekun e dytë duke e mbyllur me 15 pikë avantazh 23:8, kësisoj rezultati i pjesës së parë doli të jetë 45:24.

Kosova vazhdoi me këtë formë fantastike edhe në çerekun e tretë, që e mbylli me 13 pikë epërsi 27:14.

Në çerekun e fundit, duket se të dy skuadrat u pajtuan me rezultatin pasi u shënuan vetëm 19 pikë, pra 8:11 në të mirë të zviceranëve, me epilogun përfundimtar që doli të jetë 76:49.

Më i dalluari te Kosova ishte kapiteni Dardan Berisha me 20 pikë, ndjekur nga Dominic Artis që debutoi me 19 sosh, derisa te Zvicra la “shenjë” vetëm Toni Rocak me 12 pikë.

Ndeshjen e radhës Kosova do ta zhvillojë si mysafir i Danimarkës më 26 korrik.

Lajme të ngjashme