Kosova e pret sot Andorrën, e vetëdijshme se duhet të fitojë patjetër
Kosova do të përballet sot me Andorrën në Prishtinë, në ndeshjen e dytë dhe të fundit të rrethit të parë, në kërkim të fitores së parë në kualifikime për Kampionatin Evropian 2024.
Ndeshja e Grupit I kualifikues mes dardanëve dhe vizitorëve nga Andorra zhvillohet në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë në orën 20:45.
Pasi barazoi 1:1 me Izraelin, rivalin e drejtpërdrejt për vendin e dytë dhe të fundit që dërgon në Euro 2024, në ndeshjen hapëse, Kosova është e vetëdijshme se i duhet medoemos t’i fitojë të gjitha tri pikët përballë një Andorre në shtëpi.
Trajneri i Kosovës Alain Giresse e pranoi se ai dhe lojtarët e dinë sa e rëndësishme është të fitojnë përballë Andorrës.
“Opsioni i vetëm për ne nesër është fitorja. Sa i përket lojtarëve se a janë të vetëdijshëm për nevojën për ta fituar këtë ndeshje? Po ata fillimisht janë të informuar, pastaj janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje, sepse nuk është gara e parë në të cilën luajnë, ata kanë zhvilluar ndeshje në Ligën e Kombeve si dhe gara të tjera, dhe janë të vetëdijshëm që paraqitja e tyre ndikon në një paraqitje në Evropian”, tha Giresse të hënën në një konferencë për media para ndeshjes.
Kosova ishte me fat që e nxori një pikë në Izrael, megjithëse Milot Rashica ka mundur t’ia fitonte tri pikët e plota sikur të kishte shënuar nga afërsia dhe i papenguar në kohën shtesë, pas një loje tejet të dobët, veçanërisht në pjesën e parë.
Andorra e humbi ndeshjen hapëse kundër Rumanisë, derisa Zvicra e shkatërroi Bjellorusinë 5:0.
Zvicra dhe Rumania kanë nga tri pikë, ndërsa Kosova dhe Izraeli nga një pikë. Andorra dhe Bjellorusia, si dy ekipet më të dobëta në grup, janë pa pikë pas ndeshjeve të para.