Kosova e mposht Sllovakinë 3-4, të martën e pret Turqinë në “Fadil Vokrri”
Kosova ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në kualifikimet për Botërorin e këtij viti në futboll, duke e mposhtur si mysafire Sllovakinë në Bratisllavë me rezultat 3-4.
Kosova nuk e nisi mirë ndeshjen dhe pësoi gol që në minutën e gjashtë. Golin për vendësit e shënoi Martin Valjent.
Sidoqoftë, vetëm 15 minuta më vonë, Veldin Hoxha e ktheu Kosovën në lojë dhe i barazoi shifrat në 1-1.
Në minutën e fundit të pjesës së parë, Lukas Haraslin ua riktheu epërsin sllovakëve për 2 me 1.
Kosovarët u kthyen fuqishëm në fushën e blertë me të filluar pjesa e dytë, pa u dorëzuar në asnjë moment.
Ishte Fisnik Asllani që e barazoi rezultatin për Kosovën, pas pasimit nga Mergim Vojvoda, në minutën e 47-të.
Florent Muslija na e solli gëzimin më të madh në ndeshje, kur në minutën e 60-të e nxori Kosovën për herë të parë në epërsi.
Fitoren e Kosovës e vulosi Kreshnik Hajrizi, për 2 me 4, në minutën e 72-të.
Krejt çfarë arritën sllovakët ishte ngushtimi i rezultatit në 3 me 4 në minutat shtesë, por loja përfundoi pa ndonjë gol tjetër.
Kështu, Kosova kalon në finalen e Play-offit dhe të martën e pret Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, e ka uruar ekipin për fitoren 4-3 që shënoi në Bratisllavë kundër Sllovakisë.
Kurti tha se Kampioni Botëror "kurrë s'ka qenë më afër."
"Urime Kosovës! Urime Dardanëve dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë! Ky ekip me këta tifozë, sonte kanë hapur një kapitull të ri të futbollit te ne. Loja e shkëlqyer dhe realizimet precize do të mbeten të paharrueshme përgjithmonë. Ashtu siç ëndërruam, edhe triumfuam. Aq shumë dëshiruam, saqë fituam shumë. Kampionati Botëror kurrë s’ka qenë më afër," shkroi ai.