Kosova e dërrmon Burkina Fason për t’i dhënë Giresses një debutim të përkryer në stolin dardan
Derisa të gjithë lojtarët në fushë dhe banka rezervë por kërcenin lart e poshtë të pushtuar nga ngazëllimi në vijën anësore pas çdo goli që Kosova po ia shënonte Burkina Fasos pareshtur, Alain Giresse po qëndronte i palëvizshëm në mesin e tyre me duart e lidhura pas shpinës, sikur asgjë nuk po ndodhte dhe sikur nuk po besonte se debutimi i tij në stolin dardan po shkonte në mënyrën më të përkryer të mundshme: një fitore e lehtë prej 5:0 ndaj gjysmëfinalistit të Kupës së Kombeve të Afrikës 2022.
Duke e shikuar Giressen nga lart në tribunën perëndimore të Fadil Vokrrit, vëreje një njeri të ftohtë akull në një natë të ngrohtë e plot emocione për ekipin e tij. Hera e vetme kur ke mundur ta shohësh atë duke buzëqeshur ishte kur nuk mundi pa buzëqeshur me shkëlqesinë që Edon Zhegrova po shfaqte (për këtë pak më vonë).
Ishte vetëm një miqësore, po. Por Kosova kishte qenë pa trajner dhe pa zhvilluar ndonjë ndeshje që prej barazimit me Greqinë më 14 nëntor të vitit të kaluar.
Giresse donte vetëm një gjë në këtë ndeshje, të njoftohej me lojtarët e ekipit të tij të ri. Duke e parë lojën dhe ndryshimet në formacion, nuk mund ta dalloje se Giresse ishte i ulur në stolin verdhekalter për herë të parë.

Duke e ditur se ekipi kombëtar i Afrikës së Jugut kishte disa mungesa të theksuar, Giresse vendosi të debutojë me një formacion 4-3-3, duke i lënë rezervistë të papërdorshëm dy lojtarët kryesorë të Kosovës, kapitenin Amir Rrahmani dhe sulmuesin Vedat Muriqi.
Vendimi i tij i guximshëm iu shpagua, pasi pas saktësisht dy minutave lojë, Fidan Aliti i dha epërsinë Kosovës, duke e futur topin në rrjetë nga afërsia pas një harkimi nga Edon Zhegrova, për ta nisur atë që do të ishte një debutim i përkryer për francezin 69-vjeçar.
Një gjë ishte e sigurt, Giresse si ish-trajner i kombëtareve afrikane si Mali dhe Senegal, e njihte kundërshtarin e sotëm dhe mund të llogarisje në taktikat e tij.
Astrit Selmani e dyfishoi epërsinë për verdhekaltrit pas 23 minutave lojë nën qiellin e hapur të kryeqytetit, me një goditje të mrekullueshme me efej. Ishte goli i parë i sulmuesit 24-vjeçar të Hammarby.

Kosova e mbizotëroi pjesën e parë pothuajse plotësisht, gjithmonë duke i shkaktuar telashe vizitorëve nga të dy krahët.
Zhegrova, i cili në janar iu bashkuar kampionit francez Lille nga Baseli, i shkaktoi kokëçarje të vazhdueshme krahut të majtë të mbrojtës së Burkina Fasos, duke i mbajtur në këmbë tifozët dardanë me driblimet e tij drithëruese.
Pak pas fillimit të pjesës së dytë, në minutën 53-të, Mërgim Vojvoda e çoi në tri gola epërsinë e Kosovës, duke shënuar në portën boshe pasi u shërbye nga Milot Rashica, i cili ka mundur të shënonte vetë i gjendur i vetëm përballë portierit.
Por ishte një moment tjetër magjie i Zhegrovës që e krijoi golin e tretë, posaçërisht pasimi i tij me pjesën e jashtme të takes. 22-vjeçari, i cili rrallë herë përdorej nga ish-trajneri Bernard Challandes, ishte i etur për t’i lënë mbresa trajnerit të ri Giresse.
Pas shumë përpjekjeve, Rashica më në fund e gjeti rrjetën e portës në Fadil Vokrri, duke shënuar me efej në qoshen e majtë të portës pas një depërtimi në krahun e majtë. I pari në tokën e Kosovës për sulmuesin e Norwich City në Premierligë.

Toni Domgjoni shënoi në debutimin e tij për Kosovën në përpjekje për të harkuar në zonë. Një gol i paqëllimshëm, por i mirëseardhur për mesfushorin e Vitesses.
Për ta bërë edhe më të përkryer këtë natën, portieri veteran Samir Ujkani i bëri disa pritje mahnitëse, përfshirë penalltinë e Tapsobas. Lumbardh Devolla i Ballkanit, lojtari i vetëm i Superligës së Kosovës për ndeshjet e marsit, mahniti po ashtu në debutimin e tij, dhe ka mundur shumë lehtë të shihte veten në listën e golashënuesve pas një goditje fantastike nga largësia.
Lirim Kastrati ishte zhgënjimi i vetëm i mbrëmjes në lojën e Giresse, pasi mbrojtësi i Ujpestit në Hungari shkaktoi penalltinë dhe nuk ishte në gjendje të rrinte në ritmin e lojës, duke humbur shumë topa dhe duke ngelur jashtë pozitës së tij shpesh.
Por mbase lojtari i vetëm që e bëri Giresses të shqetësohej dhe të buzeqeshtje ishte Zhegrova, jo sepse shënoi gol, por sepse ishte ylli i ndeshjes me lëvizjet dhe driblimet e tij elegante. Disa pasime të gabuara ishte mangësia e vetme e prishtinasit.
Duke vrapuar si i çmendur për ta mbajtur një top në lojë në vijën anësore, Zhegrova u frikësua se e tërhoqi muskulin dhe kjo ishte hera e parë që Giresse lëvizi vendi tamam. Ai shfaqi një fytyrë të shqetësuar dhe u kthye kah stoli për ta udhëzuar ekipin e vet ndihmës ta zëvendësonin yllin e Lille.
Por Zhegrova vazhdoi dhe në aksionin e radhës, u fut në mesin e dy mbrojtësve gjigant të Burkina Fasos pranë zonës, të cilën e rrëzuan me ndërhyrje të ashpër. Giresse nuk duroi pa qeshur, jo sepse Edoni i tij ishte rrëzuar, por sepse ndërhyrja e ashpër ishte mënyra e vetme për ta ndalur atë.
Nga ajo ndërprerje, Florent Muslija, i cili pati një natë të mrekullueshme po ashtu, e goditi shtyllën.
Zhegrova e mbylli ndeshjen me dy asiste dhe driblime të panumërta, duke i lënë përshtypje të shumta trajnerit të vet të ri, në atë që mund të jetë një epokë e re për të te Kosova.
Giresse do ta ndryshojë formacionin për ndeshjen e së martës kundër Zvicrës, një miqësore tjetër e këtij muaji, për t’iu dhënë hapësire të gjithëve t’i tregojnë cilësitë e tyre.
Por një gjë është e garantuar, idetë e tij për futbollin janë të qarta dhe Kosova do të shpresojë se ai do t’i bartë ato edhe në ndeshjet zyrtare, kur verdhekaltrit e nisin edicionin e tretë në Ligën e Kombeve në qershor.