Konfirmohet që Besfort Zeneli e ka refuzuar Kombëtaren e Kosovës - NACIONALE

Konfirmohet që Besfort Zeneli e ka refuzuar Kombëtaren e Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të zhvillojë dy ndeshjet e para të sezonit të ri të Ligës së Kombeve në muajin shtator dhe për këtë trajneri Franco Foda, ka dalë në konferencë për media.

Trajneri ishte optimist për ndeshjen ndaj Rumanisë, ku tha se do të hyjnë për të fituar dhe se objektivi është të dalin të parët në këtë grup.

Ai tregoi se është i kënaqur që ka lojtarët në formë, sidomos fazën ofanzive, teksa ka shpjeguar se sot do të flasin mbi gabimet që bënë në miqësoren ndaj Norvegjisë, në mënyrë që ato t'i përmirësojnë në ndeshjet e ardhshme.

Fjalimi hyrës i Franco Fodës

"Kemi përfunduar ndeshjet miqësore, tani jemi afër ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë. Për këtë lojë të parë në shtëpi jemi të motivuar dhe të gëzuar. Do të bëjmë gjithçka, të përgatitemi sa më mirë që kundër Rumanisë të fitojmë."

Trajneri i lumtur me formën e lojtarëve

"Kjo është diçka e mirë, kur kemi në dispozicion kaq lojtarë të mirë dhe mund të zgjedhësh. Në lojërat e kaluara nuk kemi shënuar shumë siç e dim. Ne kemi lojtarë si Edoni, Muriqi, Rrahmani, Miloti e Fisniku në sulm. Këta kanë shënuar me klube dhe shpresojmë që do të shënojnë sërish edhe te Kombëtarja."

Ftesa për Eliot Bujupin

"Eliot Bujupin e kemi parë nga afër, kemi shikuar ndeshjet e tij te Stuttgarti. Ai është i ri, shënon gola. Është në gjendje të kryejë detyrat siç duhet, prandaj e kemi ftuar të bëhet pjesë e jona, të bashkohet me ne dhe të përshtatet me skuadrën."

Bajram Shala që ishte në konferencë me trajnerin u përgjigj në aludimet se Besfort Zeneli ka refuzuar Kombëtaren e Kosovës, duke thënë se kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi lojtari në fjalë nuk ka pranuar të bashkohet për këto ndeshje.

"Besforti ka pasur ftesën të jetë në kampin tonë. Ai ka vendosur të mos jetë në këtë grumbullim, por ne do të jemi në kontakt me të në vazhdim apo me familjen e tij, por Besforti ka vendosur të mos jetë pjesë e ekipit."

Foda për formën e Albion Rrahmanit

"Albioni është shumë i talentuar. Është i përgatitur, i shpejt, luan mirë me këmbë. Ai tani ka ndërruar ekipin duke bërë hap tutje dhe tani e ka kohën ta tregojë veten edhe në Kombëtare të Kosovës."

Pse nuk është ftuar Muharrem Jashari dhe Bujar Pllana?

"Ne i kemi vëzhguar këta dy lojtarë, por duke parë që kemi lojtarë të tjerë në këto pozicione, kemi vendosur për këtë renditje kësaj radhe. Por sigurisht, nëse ata e tregojnë veten, ne do të jemi aty për t'i vëzhguar dhe për t'iu dhënë mundësinë."

Renditja e sulmit ndaj Rumanisë

"Në sulm kemi zgjedhje të mjaftueshme. Kemi lojtarë si Fisniku, Muriqi, Rrahmani, ndërsa edhe Miloti mund të luajë në qendër. Tani kemi stërvitjet dhe në bazë të ushtrimeve do të shohim se si do të startojmë në sulm ndaj Rumanisë E kemi në dispozicion edhe Zhegrovën që me trajnerin e tij të ri në Lille ka ndërruar pozicionin. Kemi mjaft opsione në sulm dhe do të shohim në stërvitje."

Objektivat e Kombëtares së Kosovës

"Qëllimi nuk është të jemi vetëm favoritë, qëllimi kryesor është së pari të fitojmë ndaj Rumanisë. Normalisht që e kemi si synim të jemi favoritët, t'i fitojmë ndeshjet dhe të shkojmë tutje si të parët në grup."

Humbja ndaj Norvegjisë

"Siç e kemi parë, kemi pasur faza të mira. Kemi pasur posedim, kemi bërë presion, kemi pasur situata të mira, por rezultati nuk doli ashtu siç kemi pritur. Sot do ta diskutojmë me të gjithë ekipin mbi lojën e kaluar. Do të flasim si t'i zbatojmë idetë tona, si mund të përmirsohemi në gabimet që kemi bërë nga loja e kaluar."

Lajme të ngjashme