Komplikohet grupi E, Belgjika fiton me rezultat komod ndaj Rumanisë - NACIONALE

Komplikohet grupi E, Belgjika fiton me rezultat komod ndaj Rumanisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Belgjikës ka arritur te fitorja e parë këtë Evropian, pasi e mposhti me rezultat komod 2:0 Rumaninë, por tani gjërat janë komplikuar në grupin E.

Kur kanë mbaruar dy xhirot në Kampionatin Evropian, në grupin E, të gjitha skuadrat kanë nga një fitore, pra secila kombëtare ka tre pikë të grumbulluara dhe se xhiroja e fundit do të jetë vendimtare për skuadrat që kalojnë në 1/8 e finales.

Sa i përket ndeshjes sot, që u zhvillua në qytetin e Kolnit, Djajtë e Kuq zhvilluan ndeshje më të mirë, ndonëse Rumania nuk ishte aspak inferiore.

Goli i parë i takimit erdhi shumë shpejt. Romelu Lukaku asistoi, ndërsa realizoi Youri Tielemans, vetëm pas dy minutave lojë.

Në vazhdim të dy kombëtaret krijuan raste shënimi, por gola nuk pati më në pjesën e parë.

Ndonëse në epërsi, Belgjika vazhdoi të ishte për një nuancë më e mirë edhe në 45 minutat në vazhdim, me Rumaninë që herë pas here rrezikonte portën e Casteels.

Skuadra e Domenico Tadescos kishte nevojë për fitore dhe shënuan edhe golin e dytë 10 minuta para fundit të takimit.

Ishte portieri Casteels që asistoi për Kevin De Bruynen, me yllin e Manchester Cityt që shënoi lehtësisht për 2:0.

Deri në përfundim nuk pati ndryshim në rezultat, me Belgjikën që triumfoi 2:0 ndaj Rumanisë, dhe tani të gjitha skuadrat në grupin E kanë nga tre pikë të grumbulluara.

Lajme të ngjashme