Kombëtarja e Kosovës publikon listën për ndeshjet e tetorit, ftohen tre lojtarë nga Superliga e Kosovës
Trajneri Primoz Gliha ka bërë të ditur listën prej 25 lojtarëve të Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e tetorit, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024, ku në sy bien tre lojtarët nga Superliga e Kosovës si dhe ftesa për anëtarin e FC Luganos, Shkëlqim Vladi.
Siç duket stafi i Kombëtares më në fund ka reflektuar, pasi pjesë e listës nuk është shumë i kritikuari Valon Berisha, ndërsa janë ftuar lojtarë nga Ballkani e Llapi.

Kosova ndonëse me gjasa minimale për kualifikim në Evropianin që mbahet në Gjermani, këtë muaj do të zhvillojë dy ndeshje kualifikuese. Fillimisht do të takohet me Andorrën në udhëtim më 12 tetor, ndërsa tre ditë më vonë në Fadil Vokrri e pret Izraelin.
Zvicra i prin grupit pas gjashtë xhirove të zhvilluara me 14 pikë, ndërsa Rumania me 12 pikë e dyta dhe Izraeli me 11 pikë e treta, qëndrojnë para Kosovës, e cila ka vetëm katër pikë, aq sa ka Bjellorusia e vendit të pestë, kurse më dobët është vetëm Andorra me dy pikë.
Ilir Krasniqi i Llapit, Lumbardh Dellova dhe Qëndrim Zyba nga Ballkani, janë lojtarët e ftuar nga Superliga e Kosovës, ndërsa në listë janë edhe Meriton Korenica e Albion Rrahmani, të cilët vetëm muaj më parë u transferuan në Evropë.