Kombëtarja e Kosovës pëson humbjen e radhës, mposhtet nga Kroacia
Kombëtarja e Kosovës në futboll te gratë, ka pësuar humbjen e radhës, tani duke u mposhtur minimalisht nga Kroacia 1:0 në stadiumin Zahir Pajaziti, në Podujevë.
Kjo ishte përballja e tretë për Dardanet në ciklin kualifikues për EURO 2025, me tri ndeshjet ku ka pësuar humbje, madje duke mos shënuar asnjë gol.
Kosova e udhëhequr nga Karin Andersen, u mposht nga Ukraina 2:0 dhe Uellsi 6:0 në ndeshjet e prillit, teksa pas humbjes sot nga Kroacia, vashat kosovare luajnë pas katër ditësh sërish me Kroacinë, por tani në udhëtim.
Për dallim nga ndeshjet e kaluara, kësaj radhe Kosova nuk ishte edhe aq inferiore në fushë, por iu kushtoi shumë kartoni i kuq që morën te fundi i pjesës së parë.
Blerta Smaili mori dy karton të verdhë, ku në minutën e 42-të u përjashtua nga loja, por 45 minutat e parë përfunduan pa gola.
Por disavantazhi në fushë u vu në dukje në pjesën e dytë. Kroacia e shfrytëzoi këtë mundësi dhe doli në epërsi në minutën e 58-të kur shënoi për 1:0 Ivana Rudelic.
Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim në rezultat, me Kombëtaren e Kosovës që pëson humbjen e tretë radhazi në këto kualifikime, në po aq ndeshje, duke u rënditur e fundit pa asnjë pikë, ndërsa Kroacia e arrin edhe fitoren e dytë në grup, pas fitores ndaj Ukrainës.