Kombëtarja e Kosovës përballet me Zvicrën në kuadër të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027 - NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës përballet me Zvicrën në kuadër të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës në basketboll sot do të përballet me Zvicrën, në xhiron e tretë të fazës preliminare të kualifikimeve për Kupë të Botës.

Dardanët do të luajnë në udhëtim, në qytetin e Bernit, ku synohet fitorja.

Trajneri i ri i Kombëtares bëri të ditur dje listën për dy ndeshjet e këtij muaji, ku pas Zvicrës përballen edhe me Irlandën.

Jean-Denys Coulet zgjodhi 12 emra në listën e tij të plotë.

Dardan Berisha, Meriton Ismaili, Arti Hajdari, Arian Qallaku, Gëzim Morina, Lis Soshi, Mikaile Tmusic, Erjon Kastrati, Rron Ukaj, Dominic Artis dhe Muhamedali Janjeva; janë pjesë e listës së plotë.

Në dy ndeshjet e para të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027, Kosova fitoi fillimisht ndaj Irlandës, ndërsa pësoi humbje në udhëtim te Azerbajxhani.

Kur dihet se vetëm vendi i parë dërgon në kualifikime, Dardanët duhet të kërkojnë fitore në dy ndeshjet e nëntorit.

Sfida e parë është sot, ku përballen me Zvicrën me fillim nga ora 19:30, teksa pas tre ditësh luajnë në udhëtim te Irlanda.

Pas këtyre dy përballjeve, Kombëtarja e Kosovës, ndeshjet e radhës dhe të fundit në fazën preliminare do t'i ketë në muajin shkurt, kur e pret Zvicrën dhe Azerbajxhanin në Prishtinë.

Momentalisht, Kosova gjendet në vendin e tretë në grup me një fitore dhe një humbje, rekord të njëjtë si Azerbajxhani i vendit të dytë. Zvicra është e para me dy fitore nga dy ndeshje të zhvilluara, kurse Irlanda nuk ka shijuar ende fitoren.

Lajme të ngjashme