Kombëtarja e Kosovës në 'gjah' për tri pikët e radhës, përballet me Qipron në Fadil Vokrri - NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës në 'gjah' për tri pikët e radhës, përballet me Qipron në Fadil Vokrri

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës sot do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të muajit tetor, ku do të përballet me Qipron, në stadiumin Fadil Vokrri.

Përballja e kësaj nate është në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Kombeve, në grupin C2.

Dardanët vijnë nga një fitore e mundimshme ndaj Rumanisë në udhëtim, ku me golat e Edon Zhegrovës e Ermal Krasniqit morën fitoren e dytë. Në anën tjetër, Qipro pësoi humbje të thellë nga lideri i grupit, Rumania.

Kombëtarja që udhëhiqet nga Franco Foda, u përball me Qipron në muajin shtator në udhëtim, ku shënuan fitore 3:0, me një paraqitje shumë të mirë, ndonëse atmosfera e grupit nuk ishte në nivel pas përjashtimit të tre futbollistëve.

Kosova konsiderohet si favoriti kryesor i takimit, madje sipas kompanive të basteve Qipro ka kuotë mbi 10.00.

Elvis Reaxhbeçaj do të jetë një mungesë e madhe për kombëtaren tonë, por në fushë pritet të kthehet Aro Muric që nuk luajti ndaj Lituanisë.

Mungesë tjetër mund të jetë Valon Berisha e Donat Rudhani, që kanë pasur dëmtime, me të parin që nuk stërviti fare dje.

Përballja në Fadil Vokrri zhvillohet me fillim nga ora 20:45, ku gjyqtar kryesor i takimit është slloveni Matej Jug.

Kujtojmë se në rast fitoreje, Kosova do ta kërkojë vendin e parë në grup në muajin nëntor, ku do të luajë ndaj Rumanisë në udhëtim dhe ndaj Lituanisë në shtëpi.

Lajme të ngjashme