Kombëtarja e Kosovës në duar të sigurta, Mustafë Abdullahu arsyeja kryesore që Dardanët e rinj morën rezultat pozitiv ndaj Gjermanisë - NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës në duar të sigurta, Mustafë Abdullahu arsyeja kryesore që Dardanët e rinj morën rezultat pozitiv ndaj Gjermanisë

1 muaj më parë

nga Vivianit Gërguri

Pak çaste pasi Kombëtarja A e Kosovës fitoi 1:0 ndaj Armenisë në ndeshjen e parë në krye me trajnerin e ri Franco Foda, Kosova U21 arriti rezultat pozitiv duke barazuar 0:0 me Gjermaninë U21 në kuadër të ciklit kualifikues EURO 2025.

Kosova U21 nuk u paraqit në mënyrën më të mirë dhe kjo ishte e kuptueshme, pasi pati përballë një kombëtare si Gjermania që kishte fituar të gjitha ndeshjet deri më tani, por arsyeja kryesore se pse të udhëhequrit e Afrim Tovërlanit morën këtë rezultat ishte portieri Mustafë Abdullahu, që pati paraqitje fantastike.

Mustafë Abdullahu, 20-vjeçari i lindur në Podujevë, ishte më i dalluari nga të gjithë futbollistët në fushë. Ai me pritjet e tij dhe daljet e suksesshme bëri që Kosova U21 të merrte një barazim ndaj një gjiganti si Gjermania.

Ai në total pati shtatë pritje, nga të cilat dy ishin hedhje të larta dhe shumë të rëndësishme.

Daljet e tij ishin të sigurta dhe e qetësoi disa herë ndeshjen në momente kur skuadrës i binte përqëndrimi në fazën mbrojtëse.

Për 20-vjeçarin kjo ishte vetëm paraqitja e dytë për Kosovën U21, pasi kishte debutuar ndaj Izraelit më 21 nëntor të vitit të kaluar dhe deri më tani ka treguar që e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta sa i përket portës.

Abdullahu është portieri i parë te Tirana në Kategorinë Superiore dhe vlera e tij tani është mbi 300 mijë euro, ku së shpejti do ta shohim me një transferim jashtë vendit, pas paraqitjeve fantastike për klubin dhe kombëtaren.

Lajme të ngjashme