Kombëtarja e Kosovës e zhvillon stërvitjen e radhës, Emërllahu beson në fitore - NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës e zhvillon stërvitjen e radhës, Emërllahu beson në fitore

4 javë më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Arijanet Muric ashtu si dje, mungoi edhe sot në stërvitje për shkak të një lëndimi të lehtë, ndërsa Leart Paçarada mori pjesë vetëm një pjesën e parë të stërvitjeve, për të vazhduar me ushtrime të lehta me trajnerin e fitnesit.

Franco Foda me stafin e tij në stërvitjen e sotshme i kushtuan rëndësi aspektit taktik, me disa skema që synon t'i përdorë në ndeshjen ndaj Lituanisë.

Pas stërvitjes, ylli kosovar, Lindon Emërllahu, për faqën zyrtare të FFK-së tha beson në tri pikë, teksa tregoi se harmonia në grup është tejet e mirë.

"Besoj se kanë shkuar shumë mirë këto tri ditë të stërvitjeve. Siç po e shihni angazhimi është maksimal nga të gjithë futbollistët. Jemi një grup shumë i mirë. Kemi disa lojtarë me përvojë, e disa të rinj dhe jemi bërë një miks shumë i mirë. Lojën e kemi analizuar çdo ditë. Shpresoj që në këto dy ndeshje të marrim 6 pikë. Por, së pari vëmendja është tek ndeshja e pare të shtunës kundër Lituanisë. Kundër lituanëve pres një angazhim shumë të mirë sikurse ndaj Qipros. Me angazhim të tillë dhe disiplinë besoj se do të marrim tri pikë”.

Stërvitja e radhës e Kombëtares së Kosovës është planifikuar për nesër në Kampin Nacional në Hajvali me fillim nga ora 11:00, teksa pasdite skuadra do të niset për në Kaunas.

Kujtojmë se Dardanët zhvillojnë dy ndeshje këtë muaj. Fillimisht më 12 tetor takohen me Lituaninë në udhëtim, ndërsa tre ditë më pas e presin Qipron në Fadil Vokrri.

Lajme të ngjashme