Kombëtarja e Kosovës e përfundon stërvitjen e fundit para ndeshjes me Rumaninë, Dardanët të gatshëm për ta nisur me fitore - NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës e përfundon stërvitjen e fundit para ndeshjes me Rumaninë, Dardanët të gatshëm për ta nisur me fitore

3 javë më parë

nga NACIONALE

Nën urdhrat e Franco Fodës, Kombëtarja e Kosovës, e ka përfunduar edhe seancën e fundit stërvitore, para përballjes me Rumaninë.

Dardanët do të përballen me romunët nesër duke filluar nga ora 20:45 në Fadil Vokrri, që do të jetë ndeshja e parë në shtëpi në krye me Franco Fodën, ku edhe nis sezoni i ri i Ligës së Kombeve.

Siç thuhet nga FFK, futbollistët ishin të motivuar dhe plotësisht të gatshëm për ta nisur mbarë në Ligë të Kombeve, aty ku janë bashkë me Rumaninë si favoritët kryesor për të qenë në krye.

Para stërvitjes, në konferencë për shtyp folën Vedat Muriqi e Franco Foda, të cilët ishin të bindur në fitore nesër.

"Miqësoret kanë përfunduar. Nuk kemi kohë më për prova. Kemi shumë alternativa me ardhjet e reja. Duhet të luajmë për të fituar, jemi përgatitur maksimalisht për të fituar ndeshjet e ardhshme në kuadër të Ligës së Kombeve", e nisi Foda konferencën për media.

Teksa e përfundoi, duke treguar se kanë analizuar deri në detaje kundërshtarët.

"Krasniqi e Rrahmani kanë luajtur në Rumani. Ata kanë bërë hap tutje duke kaluar në Sparta Pragë. Në ekip i kemi diskutuar të gjitha detajet. E kemi përvetësuar përvojën e këtyre lojtarëve në Rumani. E dimë mirë se si luajnë ata në defanzivë, në ofanzivë dhe si janë në kundërsulme. Jemi të bindur se do ta fitojmë lojën."

Në anën tjetër Muriqi, e nisi duke thënë se do të synojnë hakmarrje në fushë për humbjen që Rumania ia kishte pësuar Kosovës kohë më parë.

"Besojmë shumë në hakmarrje në fushë. Duhet t'i mposhtim vetëm në fushë dhe jo me gjëra tjera. Ndeshja e nesërme është e rëndësishme për të dy palët. Siç e dini Kosova dhe Rumania janë favoritët për vendin e parë. Fituesi nesër do ta ketë mundësinë e artë për të përfunduar në vendin e parë pastaj në grup."

Sulmuesi në topform i Mallorcas potencoi që mund të luajë me sistemin me dy sulmues, por marrë parasysh emrat, kush do që të jetë në fushë, do të japin 100% nga vetja për fitore.

"Për momentin jemi në top formë, ashtu siç kemi qenë disa vite më herët. Jemi përgatit maksimalisht. Futbollit nuk i dihet, por të gjithë ne, pa marrë parasysh emrat do të japim 100% në fushë. Mund të luajë në sistemin me dy sulmues. Kam luajtur kështu edhe në skuadër. Nuk e kam problem, si të vendos trajneri."

Lajme të ngjashme