Kombëtarja e Kosovës e fillon me fitore fazën parakualifikuese për Kupë të Botës 2027, e mposht Irlandën në Prishtinë
Kombëtarja e Kosovës në basketboll e ka nisur në mënyrën më të mirë rrugëtimin e saj në fazën parakualifikuese për Kupën e Botës 2027, duke e mposhtur në Irlandën me rezultat 83:76 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Palestra në Prishtinë u mbush plotë me tifozë në përkrahje të kombëtares dhe kjo duket se motivoi djelmoshat që pavarësisht një paraqitje jo shumë të mirë, e rrëmbyen fitoren, që është më me shumë rëndësi se gjithçka tjetër.
Pjesa e parë ishte fantastike për Dardanët, pasi e mbyllën me shtatë pikë epërsi, 45-38.
Çereku i parë u fitua me rezultat 22-17, ndërsa i dytë 23 me 21, me Drilon Hajrizin dhe Mikaile Tmusic që u dalluan në 20 minutat e para me paraqitje fantastike.
Edhe çereku i tretë i takoi Kosovës. Kombëtarja jonë arriti ta fitonte atë me rezultat 20:19, për të shkuar në 10 minutat e fundit me tetë pikë epërsi.
I vetmi çerek që u takoi irlandezëve ishte ai i fundit, ku fituan vetëm me një pikë epërsi, me rezultatin përfundimtar që ishte në anën e Kosovës me shtatë pikë apo 83:76.
Lojtari më i dalluar i kësaj ndeshje padyshim se ishte Drilon Hajrizi, i cili kontribuoi edhe në sulm edhe në mbrojtje. Ai shënoi 20 pikë, teksa shtoi edhe nëntë rebounds e tre asistime.
Pas tij ishte edhe Dardan Berisha, i cili shënoi 19 pikë, ndërsa Tmusic ishte fantastik në mbrojtje, por që kontribuoi edhe me 11 pikë.
Në anën tjetër, Jordan Blount ishte i pandalshëm, duke bërë dyshifror të dyfishtë, me 27 pikë e 13 rebounds, por që ishin të pamjaftueshme për ta evituar humbjen nga Kombëtarja e Kosovës.