Kombëtaret e Kosovës U17 dhe U19 mësojnë kundërshtarët për kualifikimet në Evropian
Në selinë e UEFA-s në Nion, sot është bërë tërheqja e shortit për kualifikimet në Kampionatin Evropian për grupmoshat U17 dhe U19 në konkurrencën e vajzave.
Për të përfaqësuar Kosovën, e pranishme ishte Sanije Krasniqi.
Kombëtarja e Kosovës U17 në kualifikimet për Evropian që mbahet në Ishujt Faroe, do të jetë pjesë e Ligës A në grupin A7, ku do të përballet me Gjermaninë, Austrinë dhe Danimarkën.
Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Gjermani prej 15 deri më 24 mars të vitit 2025, me dy pozitat e para që sigurojnë kualifikimin, ndërsa vendi i fundit bie në Ligën B.
Në anën tjetër, Kombëtarja e Kosovës U19, do të jetë pjesë e Ligës B, pas eliminimit nga faza e parë e kualifikimeve në Ligën A, ku do të jetë pjesë e grupit B3 së bashku me Letoninë, Kazakistanin dhe Maltën.
Ndeshjet do të zhvillohen në Maltë nga 1 deri më 7 prill të vitit 2025, ku vetëm vendet e para të çdo grupi si dhe vendi i dytë më i mirë në Ligën B e sigurojnë promovimin në Ligën A për raundin e parë kualifikues të edicionit të ardhshëm.