Kolumbia në finale të Kupës së Amerikës, eliminon Uruguain
Kolumbia në finale të Kupës së Amerikës do të përballet me Argjentinën, pasi që në gjysmëfinale e mposhti 1:0 Uruguain, ndonëse nuk ishin favoritët në letër.
Kolumbianët erdhën në finale të turneut, pasi në grup ishin të jashtëzakonshëm, duke përfunduar mbi Brazilin, me një barazim me këta të fundit dhe dy fitore, ndërsa në çerekfinale e shkatërroi krejtësisht Panamanë, me rezultat 5:0.
Në anën tjetër, Uruguai pati formë edhe më të mirë, ndaj u pa si favoriti apo si konkurrenti më i vështirë i Argjentinës. Ata fituan të gjitha ndeshjen në grup, e më pas e eliminuan Brazilin në çerekfinale.
Takimi mes Uruguait e Kolumbisë në gjysmëfinale ishte i zjarrtë. U zhvillua në Charlotte, në stadiumin Bank of America, ku të pranishëm ishin 70 mijë tifozë.
Për sa i përket tentimeve, të dy skuadrat ishin të barabarta në fushë, por që Uruguai dominoi në posedimin e topit, që nuk ishte e mjaftueshme në fund.
Vetëm një gol i pjesës së parë vendosi për fatin e takimit.
Ish-ylli i Real Madridit, James Rodriguez, harkoi nga goditja e këndit, me Lerman që u ngrit më së larti, për të shënuar gol me kokë, në minutën e 39-të, për rezultatin 1:0.
El GRAN cabezazo de Lerma para el 1-0 😮💨 pic.twitter.com/AT4z0uyQQY
— CONMEBOL Copa América™️ (@CopaAmerica) July 11, 2024
Deri në fundin e takimit pati raste të shumta nga të dy kombëtaret, por asnjë gol tjetër nuk u shënuar, me Kolumbinë që iu gëzua finales së madhe.
Finalja e madhe do të zhvillohet pothuajse menjëherë pas asaj të Evropianit, saktësisht më 15 korrik me fillim nga 02:00, me orë lokale të Kosovës, ku kampioni në fuqi, Argjentina, e pret Kolumbinë në stadiumin e quajtur Hard Rock, në Miami.