Klubet spanjolle në garë për Aubameyang
Sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang mund t'i ofrohet shansi për tu rikthyer në Spanjë pas gjashtë muajve të tmerrshëm te Chelsea.
Ish kapiteni i Arsenalit iu bashkua "Bluve" në ditën e fundit të afatit veror nga Barcelona. Ylli nga Gaboni nënshkroi me katalunasit para një viti, por shkaku i gjendjes financiare dhe blerjes së Robert Lewandowskit, ata u detyruan ta pranojnë ofertën modeste te Chelseas prej 12 milionë eurove.
33-vjeçari u largua nga Barcleona në mënyrë që të bashkëpunojë sërish me Thomas Tuchel, por gjermani u shkarkua nga Todd Boehly po atë javë.
Sidoqoftë, karriera e Aubameyang në "Stamford Bridge" vazhdoi duke shënuar tre gola në pesë paraqitjet e para, por pastaj forma e tij ra shumë dhe nuk ka gjetur rrjetën që nga tetori.
Trajneri Graham Potter vazhdon të ketë lidhje të mirë me Aubameyang, pavarësisht që e largoi në humbjen e fundit nga Manchester City ku ky i fundit ishte inkuadruar si zëvendësues i Raheem Sterling.
"Daily Mail" raporton se Aubameyang ndoshta ka zhvilluar lojën e fundit në fanellën e Chelseas pasi disa klube të La Liga-s janë të interesuara për të.
Atletico Madrid ka nevojë për një qendërsulmues pasi lejuan Joao Felix t'i bashkohet Chelseas për gjashtë muajt e ardhshëm.
Ndërkohë, edhe ish ylli i Arsenalit Paul Merson mendon se ish fituesi i Këpucës së Artë do të largohet këtë muaj.
"Mendoj se Aubameyang do të largohet. Kur je duke zëvendësuar një 30-vjeçar, mendoj që menjëherë është fundi. Ndoshta mund ta kuptosh me lojtarët e rinj, por në futboll është nga ato rregullat e pashkruara. Mendoj se ai ka marrë fund. Është një shembull pse përforcimet te Chelsea janë problem i madh", deklaroi ai.
