Klubet e Superliges në takim të përbashkët nesër për krizën me ligjin për sponsorizim
Gazeta Nacionale mëson se klubet e Superligës së Kosovës kanë aranzhuar një takim mes vete për ta diskutuar ngërçin rreth ligjit për sponsorizim. Gati të gjitha klubet pritet të marrin pjesë, përveç Dukagjinit që akoma nuk dihet se si do të veprojë.
Federata e Futbollit të Kosovës akoma nuk i ka plotësuar kushtet që klubet e saj të përfitojnë nga ligji për sponsorizim i Ministrisë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Kjo ka bërë që të krijohet një situatë dhe realitet i ri në futbollin tonë. Burimet e Gazetës Nacionale bëjnë të ditur se gjatë ditës së nesër është programuar një mbledhje mes klubeve.
Në këtë takim pritet të marrin pjesë vetë presidentet e klubeve. Të gjitha klubet kanë pranuar ftesë deri tani.
Gjithmonë duke u bazuar në burimet e Gazetës Nacionale, i vetmi klub që akoma nuk ka dhënë një përgjigje të qartë në lidhje me atë se si do të veprojë karshi kësaj ftese është Dukagjini.
Klubet si Prishtina dhe Drenica e kanë pranuar se e kanë marrë një ftesë nga organizatori i këtij takimi.
Kriza e ligjit për sponsorizim
Dje Gazeta Nacionale sqaroi të gjithë problematikën që ka të bëjë me ligjin për sponsorizim, benefitet e të cilit klubet kosovare të futbollit po rrezikojnë që të mos i gëzojnë.
Nuk dihet nëse FFK-ja do t’i plotësojë kushtet për t’u licencuar si federatë në radhë të parë, për shkak të telasheve me udhëheqësin, Agim Ademin, i cili është në rigjykim, dhe Shatri konfirmoi si Komisioni për Licencim i ka dërguar asaj vërejtët e veta.
“Federata e Futbollit është në proces të aplikimit, komisioni ia ka dërguar vërejtët, jemi duke pritur deri sa ta plotësojë dokumentacionin që ia kemi kërkuar, deri në momentin që të na e sjell dokumentacionin nuk e dimë çka”, tha Shatri për Nacionale.
I pyetur nga Nacionale nëse federata i ka plotëstuar kushtet që klubet e saj të përfitojnë nga ligji për sponsorizim, Shatri shtoi: “Jo, nuk i plotëson”.
“Kjo ka të bëjë me ligjin për sponsorizim. Të gjitha klubet, organizatat që aplikojnë për vërtetim për sponsorizim në kuadër të federatave të cilat nuk janë licencuar nuk mund të përfitojnë nga ligji për sponsorizim, përveç federatave bashkë me klube që janë të licencuar”, nënvizoi ai.
FFK-ja i ka bërë një varg shkeljes gjatë këtij viti, të cilat mund të ndikojnë në aplikimin e saj për të marrë licencë për organizimin e garave të futbollit në vend.
Ajo mbajti zgjedhje kontroverse në fillim të këtij viti, duke e thirrur kuvendin zgjedhor nën dyshime të mëdha se e shkeli Nenin 39 të Statutit të federatës. Po ashtu, e emëroi më vonë Sylejman Selimin si anëtar të Komitetit Ekzekutiv, pasi personat e dënuar për vepra penale e kanë të ndaluar kandidimin.

