Klubet e Premierligës kërkojnë që Manchester City të dëbohet nga liga
Shumë klube të Premierligës dëshirojnë që Manchester City të përzihet nga ligat elitare angleze, nëse shpallet fajtor për shkeljen e rregullave financiare gjatë nëntë sezoneve të fundit.
City tha të hënën se ndihet i habitur nga akuzat e Premierligës për shkeljen e 101 rregullave financiare nga sezoni 2009/10 deri në edicionin 2017/18.
Ndëshkimi më i madh që Premierliga mund t’ia japë Cityt në këto rrethana është ta përjashtojë.
Në Angli thuhet se heqja e titujve të fituar gjatë kësaj kohe do të ishte a pakuptimtë dhe do të shkaktonte huti, ndërsa gjobitja nuk do të kishte shumë ndikim.
Klubet që deri të hënën kanë bërë më së shumti trysni për përjashtimin e Manchester City kanë qenë rivalët e tij më të mëdhenj, si Manchester United, Liverpool, Arsenal, Chelsea dhe Tottenham.
Nuk do të ketë keqardhje për Cityn, i cili i ka fituar gjashtë tituj në Premierligë në 11 vitet e fundit, nëse shpallet fajtor.
Klubet e Premierligës nuk duan të përfshihen në këtë proces, i cili tani është në duart e një komisioni të pavarur.

Premierliga njoftoi të hënën se, pas një hetimi katërvjeçar, kampioni i Anglisë City akuzohet për shkelje të rregullave financiare të ligës.
Raportohet se City i ka shkelur rregullat financiare në më shumë se 100 raste, dhe si pasojë me këtë rast tani do të merret një komision i pavarur.
Në një reagim ndaj akuzave të hënën, City e publikoi një komunikatë për media në uebsajtin e klubit, në të cilën thuhet: “Manchester City FC është i habitur me këto akuza për shkelje të rregullave të Premierligës, posaçërisht duke e ditur angazhimin e skajshëm dhe materialet e shumta të hollësishme të cilat ia kemi dërguar Premierligës Angleze.”
“Klubi e mirëpret rishikimin e rastit nga një komision i pavarur, për t’i konsideruar në mënyrë të paanshme dëshmitë e pakundërshtueshme të cilat ekzistojnë në përkrahje të pozitës së klubit. Ne mezi presim që kjo çështje të marrë fund një herë e përgjithmonë”, thuhet tutje në reagim.
