Klubet arabe ia mësyjnë dyshes së Man Unitedit
Dyshja e Manchester Unitedit Casemiro dhe Bruno Fernandes janë “shënjestra” të klubeve arabe për afatin e ri kalimtar veror.
“Djajtë e Kuq” pritet të bëjnë një rindërtim masiv nën urdhrat e Sir Jim Ratcliffe, ku një numër i lojtarëve aktual janë vendosur në shitje.
Casemiro pritet të jetë largimi i parë në verë për në Arabinë Saudite, ku kërkohet me ngulm nga skuadra e Cristiano Ronaldos dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë do të përfundojë te Al Nassr.
“The Telegraph” raporton se përpos Casemiros, klubet arabe kanë interesim të madh edhe për kapitenin e Unitedit Fernandes, megjithatë gjasat janë më të ulëta që portugezi të largohet nga “Old Trafford”.
Casemiro është përballur me kritika të mëdha nga analistët e njohur këtë sezon shkaku i paraqitjeve të dobëta, ndërsa edhe Unitedi synon ta heqë ‘qafe’ brazilianin.
Fernandes ndërkohë së fundmi komentoi pak të ardhmen dhe sugjeroi se largimi nga Unitedi është mundësi.
“Sigurisht, nuk varet nga unë apo jo? Një lojtar gjithmonë dëshiron të jetë këtu, por në të njëjtën kohë, duhet të doni që ai të qëndrojë”.
“Për të qenë shumë i sinqertë, nëse duhet të mendoj se a të vazhdoj në Premierligë, do të ndodh vetëm pas Kampionatit Evropian “Euro 2024”.
Ndërkohë, pas humbjes nga Arsenali – Unitedi seriozisht po e rrezikon pjesëmarrjen në garat evropiane.