Kloppi i del në mbrojtje Guardiolës: Ai është trajneri më i mirë në botë
Jurgen Kloppi i ka dalë në mbrojtje trajnerit të Manchester Cityt, Pep Guardiola, duke e cilësuar rivalin e vet në Premierligë si trajnerin më të mirë në botë, në prag të përballjes vendimtare për titull të dielën.
Para ndeshjes çerekfinale në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madridit në mesjavë, Guardiola kishte bërë shaka se mund ta ketë gjetur zgjidhjen ndaj sugjerimeve se ai i koklavit taktikat e tij në ndeshje të mëdha: duke luajtur me 12 lojtarë.
“Në Ligën e Kampionëve unë gjithmonë kam mendime të tepruara. Unë gjithmonë krijoj taktika dhe ide të reja, dhe do ta shihni një të re. Unë e teproj duke menduar shpesh, prandaj kam rezultate të mira në Ligën e Kampionëve. Do të ishte e mërzitshme puna ime nëse, gjithë kohën, ne luajmë në të njëjtën mënyrë”, kishte thënë Guardiola.
Kloppi e pret një betejë tërheqëse në Etihad Stadium të dielën, me skuadrën e tij Liverpool që ka mundësi të bëhet lider i Premierligës me dy pikë më shumë se City nëse fiton.
Por ai u ndje i detyruar ta mbrojë Guardiolën, pasi komentet e tij të mëhershme për spanjollin ishin nxjerrë nga konteksti nga disa media.
Trajneri i Liverpoolit tha: “Ishte ironi! E pashë se në Ekuador ishte bërë lajm këtë javë që gjoja unë kam thënë se nuk e kuptoj Luis Diazin. Ju keni përgjegjësi në këtë planet. Nëse dëshironi të flisni me ne, atëherë ju lutem na e bëni një nder dhe na ndihmoni. Pep e tha me ironi ‘unë mendoj së tepërmi dhe më pëlqen ta teproj duke menduar’”.
“Pep është trajneri më i mirë në botë. Mendoj se të gjithë do të pajtoheshim për këtë dhe mund të jetë rastësi që nuk ka funksionuar në Ligën e Kampionëve deri tani. Nëse dikush dyshim në të, unë nuk ia kam idenë si është e mundur kjo”, shtoi Kloppi.
I gjithë përqendrimi do të jetë të dielën në përballjen e Manchester Cityt dhe Liverpoolit.
Kampioni në fuqi City është lider i tabelës me një pikë më shumë se Liverpooli. Skuadra e Kloppit i ka fituar 10 ndeshjet e fundit në ligë, duke u rikthyer bindshëm në garë për titull.