Klopp i ngazëllyer nga Gakpo: Përshtypjet e para janë të mrekullueshme - NACIONALE

Klopp i ngazëllyer nga Gakpo: Përshtypjet e para janë të mrekullueshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Jurgen Klopp ka folur në konferencë për medie rreth sulmuesit holandez që ka blerë Liverpool, Cody Gakpo. Ai konfirmoi se do të jetë pjesë e listës së lojtarëve për ndeshjen e Kupës FA kundër Wolves.

Liverpoolin e pret nesër ndeshja e rrethi të tretë kualifikues të Kupës FA kundër Wolves në “Anfield Road”. Vëmendjen kryesore në këtë takim pritet ta marrë sulmuesi holandez, Cody Gakpo, i cili më në fund do të debutojë për “Të Kuqtë”.

Jurgen Klopp në konferencën e sotme për shtyp që mbajti konfirmoi se 23-vjeçari është ftuar për të qenë pjesë e skuadrës që do të luajë në ndeshjen e kupës. Trajneri gjerman menjëherë lavdoi përforcimin e ri të Liverpoolit.

“Po, është pjesë e listës (për Gakpo). Natyrisht se do të përfshihet në skuadër, por se në çfarë forme do të vendosim gjatë orëve të ardhshme. Përshtypjet e para rreth tij janë të mrekullueshme”
, tha ai.

Liverpool po has në vështirësi të theksuar për ta gjetur rrugën e rrjetës. Ekipi vijon të prodhojë raste për shënim, por nuk e ka efikasitetin e dëshiruar para portës.

Me Gakpo, trajneri gjerman shpreson që do të përmirësohet edhe ky parametër, duke marrë parasysh gjithashtu faktin që lista e lëndimeve në repartin sulmues është vërtetë e mundimshme, me Diaz, Firmino dhe Jota.

Përfaqësuesi holandez arkës të klubit anglez i kushtoi 42 milionë euro, duke nënshkruar kështu kontratë pesëvjeçare. Ai vjen nga një formë shumë e mirë në Eredivisie, ku me fanellën e PSV në këtë edicion kishte shënuar 9 gola në 14 paraqitje, duke furnizuar bashkëlojtarët edhe me 12 asiste të tjera, duke qenë kështu një lojtar më se produktiv.

Lajme të ngjashme