Klopp: Disfata kundër Napolit ishte një horror i vërtetë - NACIONALE

Klopp: Disfata kundër Napolit ishte një horror i vërtetë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka përshkruar disfatën e skuadrës së vet kundër Napolit në Ligën e Kampionëve si paraqitjen më të dobët gatë pushtetit të tij shtatëvjeçar në Anfield.

Napoli e dërrmoi 4:1 Liverpoolin në ndeshjen hapëse të grupit në Ligën e Kampionëve javën e kaluar në Itali, e cila ishte humbja më e thellë e të kuqve në Evropë që prej vitit 1966.

Duke folur para ndeshjes së dytë në grup kundër Ajaxit të martën, Klopp tregoi se e kishte shikuar të regjistruar disfatën kundër klubit italian dhe e cilësoi si horror të vërtetë.

“U takuam me lojtarët. E shikova ndeshjen disa herë dhe ishte një shfaqje e vërtetë horrori, të jem i sinqertë me ju. Djemtë e dinin, por kur e pamë përsëri ishte shumë e qartë; ishte ndeshja më e dobët që e kemi luajtur që prej se unë jam këtu dhe kemi pasur disa ndeshje të dobët”, tha Klopp.

Ai shtoi: “Të gjithë e mbajnë në mend Aston Villën (kur Liverpooli humbi 7:2 në vitin 2020) dhe ndeshje të tjera në të cilat ne nuk ishim në nivel, por në to kishim disa momente të paktën. Në këtë ndeshje (me Napolin), asgjë. Duhet ta kuptojmë pse ndodhi ajo. Mendoj se tetë prej 11 titullarëve ishin nën nivelin e vet, dhe tre të tjerët nuk ishin në nivelin e tyre të lartë, thjesht normal”.

Liverpooli i pranoi tri gola vetëm në pjesën e parë, dhe rezultati ka mundur të ishte shumë më i thellë sikur Victor Osimhen të shënonte nga penalltia.

Megjithëse pas pushimit mes pjesëve luajti më mirë, Liverpooli nuk mundi ta shmangë disfatën 4:1, e cila është më e thella që prej humbjes 5:1 kundër Ajaxit para 56 viteve.

I pyetur nga një gazetar nëse shtyrja e fundjavës së kaluar në Premierligë kundër Wolves mund të bëjë që skuadra e tij ta humbë ritmin, Klopp u përgjigj: “Çfarë ritmi?! Nuk kishim asnjë ritëm. A e shikove ndeshjen? Humbja e atij ritmi do të ishte shumë mirë”.

Lajme të ngjashme