Këndellet Real Madrid, triumfon lehtësisht ndaj Valencias - NACIONALE

Këndellet Real Madrid, triumfon lehtësisht ndaj Valencias

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Real Madrid ka arkëtuar pikët e plota në shtëpi ndaj Valencias, në kuadër të xhiros së 17-të në La Liga.

"Los Blancos" zhvilluan lojë të shkëlqyeshme me dominim të plotë, për të fituar në fund me rezultat 2:0.

Vendasit e nisën për mrekulli duke rrezikuar disa herë radhazi për Marco Asensios, i cili humbi raste nga afërsia.

Vinicius Junior gjithashtu kishte një goditje të mirë, por portieri Giorgi Mamardashvili reagoi duke mos e lejuar topin të përfundojë në rrjetë.

Real Madrid në fakt kaloi në epërsi përmes qendërmbrojtësit Antonio Rudiger, i cili shënoi me kokë pas harkimit të Luka Modric, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje pasi Karim Benzema kishte shkaktuar një faull brenda zonës.

Në pjesën e dytë, Reali tregoi krejtësisht "fytyrë tjetër". Fillimisht, Asensio me një goditje fantastike nga distanca la në gjumë portierin mysafir për të zhbllokuar rezultatin (52').

Kurse, vetëm dy minuta më vonë, Vinicius Junior pranoi një top në gjysmën e fushës dhe falë shpejtësisë dribloi një futbollist duke e konkretizuar në rrjetë për ta përmbyllur për mrekulli kundëraksionin (54').

Dominimi i Real Madridit vazhdoi me Karim Benzema që rrezikoi me një goditje nga afërsia, por mbrojtësi ndërhyri në sekondat e fundit duke e devijuar.

Situata për Valencian u vështirësua pasi Gabriel Paulista u ndëshkua direkt me karton të kuq, pas një ndërhyrje të tmerrshme (72') te Vinicius Junior.

Me këtë fitore, Real Madrid mban pozitën e dytë me 45 pikë, pesë më pak se Barcelona që është lider - ndërkohë Valencia renditët në pozitën e 14-të me 20 sosh.

Në xhiron e radhës, Real Madrid do të jetë mysafir i Mallorcas së Vedat Muriqit, derisa Valencia do të ketë punë me Gironan.

Lajme të ngjashme