Këndellet Napoli, triumfon me vështirësi ndaj Lecce - NACIONALE

Këndellet Napoli, triumfon me vështirësi ndaj Lecce

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Napoli ka shënuar fitore me mund si mysafir i Lecce, në kuadër të xhiros së 29-të në Serie A.

"Napolitanët" triumfuan me rezultat të ngushtë 1:2, sfidë që doli të jetë tejet e baraspeshuar.

Vendasit rrezikuan të parët duke rrezikuar me anë të Youssef Maleh, i cili provoi me një goditje nga distanca mirëpo portieri mysafir arriti të bëjë një pritje të bukur që t'ia mohojë golin.

Ishte Napoli që kaloi fillimisht në epërsi me anë të Giovanni di Lorenzo që shënoi nga afërsia pas një harkimi të Min-Jae Kim (18') - VIDEO.

Mysafirët kishin edhe një tjetër mundësi shënimi por që Hirving Lozano dështoi nga afërsia, kësisoj ky doli të jetë epilogu i pjesës së parë.

Në 45-minutëshin e dytë, Lecce u tregua më finalizuese duke barazuar rezultatin me një gol të bukur të Federico Di Francescos (52') - VIDEO.

Sidoqoftë, vetëm disa minuta më vonë Antonio Gallo shënoi një autogol në përpjekje për ta larguar topin duke e vendosur sërish Napolin në avantazh (64') - VIDEO.

Napoli deri në fund arriti ta ruajë rezultatin për t'i arkëtuar pikët e plota. Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani pavarësisht raportimeve se do të ishte në stol që të pushonte për ndeshjen e Ligës së Kampionëve zhvilloi një tjetër paraqitje solide.

Me këtë fitore, Napoli vazhdon bindshëm drejt titullit me 74 pikë të mbledhura, derisa Lecce zë pozitën e 16-të me 27 sosh.

Lajme të ngjashme