Këndellet Juventus, fiton bindshëm ndaj Bolognas - NACIONALE

Këndellet Juventus, fiton bindshëm ndaj Bolognas

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas pesë ndeshjeve pa fitore, Juventus i ka dhënë fund rekordit të zi, duke arkëtuar pikët e plota ndaj Bolognas në kuadër të xhiros së tetë në Serie A.

"Bianconerët" zhvilluan lojë të shkëlqyeshme dhe me plot meritë arkëtuan tre pikë, duke fituar me rezultat komod 3:0.

Fillimisht, "Zonja e Vjetër" kaloi në epërsi pas bashkëpunimit të dyshes serbe me Dusan Vlahovic që asistoi për Filip Kostic, i cili me një goditje të bukur shënoi për t'i dhënë epërsinë vendasve (24').

Milik kishte një tjetër rast të artë, por që portieri Skorupski bëri një super pritje që t'ia mohojë golin.

Pas këtyre rasteve, Bologna rrezikoi përmes Lorenzo De Silvestri, por goditja e tij u ndal nga portieri, kësisoj epilogu i kësaj pjese doli të jetë 1:0.

Juventus vazhdoi me formën e shkëlqyeshme edhe gjatë pjesës së dytë, me Weston McKennie që harkoi për të gjetur në vendin e duhur Vlahovic, që ishte harruar nga mbrojtësit mysafir dhe shënoi me kokë për 2:0 (59').

Fitoren bindëse të "Bianconerëve" e vulosi Arkadiusz Milik pas një harkimi të Juan Cuadrados me një gjuajtje vollej të jashtëzakonshme (62').

Juve kishte edhe disa tjera raste të arta, mirëpo u mungoi finalizimi, kësisoj asnjëra skuadër nuk gjeti më rrugën drejtë rrjetës.

Kështu, Juventus tani ngritët në pozitën e shtatë në tabelë me 13 pikë të mbledhura, derisa Bologna vazhdon me formën e dobët duke u renditur në pozitën e 17-të me gjashtë sosh.

Në xhiron e radhës, Juventus do ta zhvillojë derbin ndaj rivalit direkt për titull AC Milan në "San Siro", derisa Bologna do ta mirëpres Sampdorias.

Lajme të ngjashme