Këndellet Interi në Serie A, shënon fitore komode ndaj Empolit - NACIONALE

Këndellet Interi në Serie A, shënon fitore komode ndaj Empolit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Interi ka ndërprerë serinë negative të rezultateve në Serie A me një fitore komode ndaj Empolit me rezultat 3:0, me dy gola të shënuar nga Romelu Lukaku dhe një nga Lautaro Martinez në pjesën e dytë të takimit.

Zikaltrit nuk dinin për fitore në kampionatin italian që nga 5 marsi, ku në pesë ndeshjet e fundit ka pësuar katër humbje dhe ka marrë një barazim.

Kualifikimi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve siç duket ka ndikuar për mirë në skuadrën e Simone Inzaghit, të cilët janë në ndjekje të njërës nga pozitat që dërgojnë në fazën grupe të Ligës së Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Interi ishte më e mirë gjatë tërë takimit, ndonëse në pjesën e parë nuk arritën të gjuanin asnjëherë në drejtim të portës. Pjesa e dytë ishte më aktive në fazën sulmuese, ku arritën të gjenin golin tri herë.

Serinë e golave e hapi Romelu Lukaku me një goditje të ulët në minutën e 48-të pas disa kombinimeve të bukura me Marcelo Brozovic.

Sulmuesi belg shënoi edhe golin e dytë personal dhe të dytin për Interin, tani i asistuar nga Hakan Calhanoglu në minutën e 76-të.

Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Lautaro Martinez që shënoi për 3:0, me Lukakun që kësaj radhe asistoi, për të kompletuar një ndeshje të jashtëzakonshme.

Interi me këtë fitore ngjitet përkohësisht në pozitën e pestë, me një pikë më shumë se Milani që ka një ndeshje më pak dhe dy më pak se Roma e vendit të katërt, që gjithashtu ka zhvilluar një ndeshje më pak, ndërsa Empoli do të vazhdojë të qëndrojë në pozitën e 15-të.

Lajme të ngjashme