Trajneri i KB Trepçës jep dorëheqje pas disfatës turpëruese që pësoi ndaj KB Prishtinës
KB Trepça ka njoftuar se Alek Joncevski nga sot nuk do të jetë më trajner i skuadrës. Humbja e thellë kundër KB Prishtinës (53-88) që u shënua gjatë fundjavës dhe një seri rezultatesh zhgënjyese, ishin arsyeja pse trajneri maqedonas ofroi dorëheqje.
“Xehëtarët” kanë bërë reagimin e parë pas disfatës së thellë kundër rivalit të tyre, KB Prishtinës. Klubi nga Mitrovica gjatë mbrëmjes së sontme njoftoi se trajneri Alek Joncevski ka vendosur që të japë dorëheqje.
Rezultatet e njëpasnjëshme zhgënjyese të skuadrës mitrovicase kanë ndikuar që drejtuesit e klubit të mendojnë për ndryshime të mëdha. Megjithatë, i pari që mori përgjegjësinë mbi supe duke kumtuar largimin ishte trajneri maqedonas.
“Pas ndeshjes me Sigal Prishtinën, trajneri Alek Joncevski ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Ai ka vlerësuar se nuk mund të jap më shumë për klubin tonë dhe ka vendosur që rrugët tona të ndahen”, thuhet në komunikatën e klubit nga “Minatori”.
Ky është trajneri i dytë që largohet nga KB Trepça brenda të njëjtit sezon. Një gjë të tillë bëri edhe Minchevi, vetëm se në atë rast ishte kërkesa e drejtuesve të klubit që të largohej. Pra, trajneri bullgar për po të njëjtën arsye (mungesa e rezultateve) u shkarkua.
Ishte pikërisht Joncevski ai që emërohej si trajner pasardhës i Minchevit, me idenë që do t'i vendoste gjërat në vendin e vet, pasi skuadra synon të jetë protagoniste e këtij sezoni. Aventurë që zgjati vetëm dy muaj e gjysmë.
Për momentin KB Trepça zë pozitën e 4-t tabelore me 27 pikë, por ajo që brengos tifozët mitrovicas është mungesa e identitetit të lojës.
Ky është njoftimi i plotë i KB Trepçës:
