KB Trepça emëron Joncevskin si trajner të ri të ekipit
KB Trepça brenda pak ditësh ka gjetur pasuesin e Lyubomir Minchevit në krye të bankinës. Emri i ri që do ta drejtojë ekipin "xehëtar" do të jetë Alek Joncevski.
Drejtuesit e klubit mitrovicas nuk kanë qëndruar duarkryq pas njoftimit për shkëputjen e kontratës së trajnerit bullgar, Minchev. Një formë e dobët dhe mbi të gjitha një krizë evidente rezultatesh - prodhuan këtë ndryshim në bankinën e klubit.
Gjatë mbrëmjes së sotme KB Trepça përmes faqes së saj zyrtare njoftoi se ka emëruar trajnerin e ri. Ai do të jetë maqedonasi Alek Joncevski.

I njëjti është edhe përzgjedhë i Kombëtares së Maqedonisë së Veriut. KB Trepça me anë të komunikatës për shtyp që ka ndarë me publikun është shprehur besimplotë se me trajnerin e ri do të vijnë edhe sukseset.
Komunikata e plotë e KB Trepçës (e paredaktuar):
Mirë se vjen Alek Joncevski
Selektori i Maqedonisë së Veriut, Alek Joncevski, është trajner i ri i skuadrës sonë. Marrëveshja me trajnerin e suksesshëm është arritur tashmë dhe Joncevski të premten do ta nisë punën me skuadrën.
Besojmë fuqishëm se me Joncevskin do të kemi sukseset që i synojmë si skuadër dhe që tifozët tanë të zjarrtë dhe qyteti ynë i meritojnë.
Joncevski prej korrikut është selektor i Maqedonisë së Veriut. Më herët për periudhë të gjatë ishte ndihmës-trajner në përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut.

Ka drejtuar skuadra të shumta si Gostivari, Kozhuvi, MZT Skopje. Me MZT-në ka fituar titullin e kampionit dhe kupën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2016.
Përvojën e gjatë dhe të suksesshme, Joncevski tani e vë në shërbim të skuadrës sonë, të TREPÇËS së madhe.
E mirëpresim dhe i urojmë punë të suksesshme me skuadrën tonë e tuajën.