KB Trepça sërish e mposht Prishtinën, mitrovicasit kalojnë në finale të Ligës Unike - NACIONALE

KB Trepça sërish e mposht Prishtinën, mitrovicasit kalojnë në finale të Ligës Unike

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar edhe gjysmëfinalja tjetër e Ligës Unike, ku u përballen KB Trepça me Prishtinën, ku fitues në fund doli skuadra nga Mitrovica duke triumfuar me rezultat 83:80.

Trepça erdhi në gjysmëfinale pasi fitoi me rezultat të thellë 90:46 ndaj Kamzës në çerekfinalen e djeshme, ndërsa Prishtina mori fitore të vështirë në çastet e fundit, duke përmbysur rezuultatin ndaj Besëlidhjes dhe duke fituar me një pikë epërsi 80:79.

Skuadra mitrovicase këtë sezon ka treguar formë të lartë, duke qenë e pandalshme në Kosovë, e ku është në seri prej 20 ndeshjeve radhazi me fitore, e këtë e tregoi edhe sot, duke qenë për një nuancë më e mirë se Prishtina.

Prishtina e nisi më mirë ndeshjen, pasi e fitoi çerekun e parë me rezultat 28:24, por në 10 minutat e dyta skuadra e Adis Beciragic tregoi fuqinë e saj sulmuse, duke i shënuar 27 pikë e pranuar vetëm 18, për ta mbyllur pjesën e parë me epërsi prej pesë pikë epërsi apo 51:46

Bardhekaltrit ashtu si çerekun e parë, mirë e filluan edhe periodën e tretë, pasi fituan me tre pikë epërsi 22:19, duke u afruar në vetëm dy pikë.

Çereku i katërt u dallua për mbrojtje të fortë të dy skuadrave apo edhe në raste me efikasitet të dobët, ku fituesi u përcaktua krejt në minutën e fundit.

Trepça ishte për një nuancë më e mirë dhe e fitoi këtë çerek me rezultat 13:12, duke çuar rezultatin përfundimtar në 83:80.

Si përherë, Darnell Edge, u dallua më së shumti te Trepça, duke shënuar 19 pikë, ndërsa ndihmë të madhe ddhanë Tmusic me 14 pikë e Upson me 16 sosh.

Te Prishtina Clark me 24, Armstead me 21 dhe Diamond Stone me 20 pikë, ishin të vetmit që u munduan, por në fund nuk ia dolën të fitonin.

Kështu Trepça me këtë fitore siguron finalen e Ligës Unike, ku do të takohet me Yllin që më herët gjatë kësaj dite e mposhti thellësisht Pejën.

Në anën tjetër Prishtina do të luajë me Pejën në ndeshjen për vendin e tretë.

Të dy përballjet zhvillohen të dielën, me ndeshjen për vendin e tretë që fillon në ora 16:00, ndërsa finalja e madhe në 19:00.

Lajme të ngjashme