KB Prishtina njofton shkarkimin e trajnerit Ekrem Memnun
KB Prishtina i ka ndarë rrugët me trajnerin turk, Ekrem Memnun. Ka qenë vetë klubi më i trofeshëm kosovar në basketboll që ka publikuar një lajm të tillë.
Ai është shkarkuar vetëm një muaj pasi është emëruar në këtë pozitë. Humbja që ka pësuar KB Prishtina gjatë fundjavës ndaj KB Pejës në derbin e madh të basketbollit tonë, duket se ka qenë shtysë i mjaftueshëm që drejtuesit e klubit ta merrnin këtë vendim.
Në komunikatën që ka bërë publike klubi bardhekaltër thuhet se gjithçka ka ndodhur me mirëkuptim dhe se trajneri turk do të vazhdojë të mbes mik i skuadrës.
KB Prishtina ka bërë disa ndryshime dhe është në vazhdën e riorganizimit të klubit, ku synon që t’u rikthehet trofeve.
Komunikata e plotë e Prishtinës
"Faleminderit Ekrem Memnun!
Sigal Prishtina dhe Kryetrajneri Ekrem Memnun kanë ndarë rrugët.
Memnun iu bashkangjit projektit të klubit në gusht të këtij viti me ftesë për të përkrahur miqtë e tij në Prishtinë, mirëpo për arsye personale iu desh të largohej nga klubi.
Ne, KB Sigal Prishtina duke qenë të njoftuar për arsyen e largimit e përkrahim vendimin e tij dhe i urojmë gjitha të mirat në jetën profesionale dhe personale.
Ekremi erdhi si mik i klubit dhe po largohet si nje mik i madh i klubit.
Deri në vendimin e radhës, ekipi do të drejtohet nga Bilge dhe Rashica.
Faleminderit, Ekrem Memnun!", thuhet në kumtesën e KB Prishtinës.
Rikapitullim i javës së parë në Superligën e Basketbollit të Kosovës
Sezoni i ri në Superligën e Basketbollit ka filluar dhe atë me super sfida, ku nuk munguan befasitë por as sherret në fund të ndeshjeve, ku tifozët e Prishtinës sulmuan lojtarët e Pejës në fund të takimit. Në kuadër të lojëve, Rahoveci shkaktoi befasinë më të madhe duke mposhtur kampionin edicionit të kaluar Yllin, teksa Bashkimi, Peja e Trepça kanë shënuar fitore ndaj skuadra respektive si Vëllaznimi, Prishtina e Prizreni.
Ndeshja që shënoi hapjen e sezonit të ri ishte ajo e zhvilluar në palestrën Mizahir Isma ndërmjet Rahovecit dhe Yllit në derbin e skuadrave të urryera ndërmjet vete, që u zhvillua të shtunën.
Rahoveci me jo shumë transferime dhe Ylli me ikjen e disa lojtarëve më të mirë, zhvilluan në ndeshje mjaftë të mirë, ku fituesi u përcaktua vetëm në fund të takimit me rezultat 90:88, për Rahovecin.
Te vreshtarët ishin pesë basketbollistë me pikë dyshifrore, të cilët edhe bënë dallimin.
Johnson shënoi 14 pikë, Carson 19, Seeley 18, Musab Mala 16 dhe Kryeziu 12 nga banka për fitoren e parë të befasishme, në krye me trajnerin Muhamed Thaqi, legjendën e basketbollit shqiptar.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar të shtunën u takuan Bashkimi e Vëllaznimi dhe ndodhi ajo që pritej, triumfuan vendasit në Sezai Surroi, para 600 tifozëve të pranishëm.
Fahro Alihodzic ishte koshashënuesi më mirë te vendasit me 14 pikë të shënuara, teksa kishte edhe 11 rebounds, ndërsa te mysafirët me pikë të njëjta u dallua Atik Koshi dhe Burim Zekiqi.
Në ditën e diele ishin planifikuara dy ndeshje tjera, mjaftë të nxehta. Peja udhëtoi në Prishtinë, teksa javën e parë e përmbylli ndeshja mes Trepçës e Prizrenit.
Në ndeshjen Prishtina – Peja, triumfuan këta të fundit, ashtu edhe siç pritej, por kishte edhe momente të këqija për basketbollin vendor, që në asnjë mënyrë nuk po arrihen të shmangen.
Teksa ndeshja ishte duke përfunduar dhe në semafor kishin mbetur vetëm gjashtë të qindta të sekondit, tifozët e Prishtinës sulmuan lojtarët e Pejë, pas një ngulitje të lojtarit amerikan Purvis.
Ndeshja përmbyllëse e javës së parë ishte ajo mes Trepçës dhe Prizrenit, ku vendasit shkatërruan mysafirët me fitore prej 28 pikëve, pra me rezultat 89:61.
Ndeshja u zhvillua në palestrën Minatori me 2000 të pranishëm, dhe skuadra vendase që ishte shumë aktive në afatin kalimtar nuk kishte si të befasohej.
Paraqitje të mirë te mitrovicasit patën Andrew Gordon, Erjon Kastrati e Drilon Hajrizi. Dy të fundit shënuan nga 14 pikë teksa Gordon shënoi 17 pikë e gjithashtu kishte edhe shtatë rebounds.
Në anën tjetër skuadra e Arbnor Rifatit që njihet me lojën e mirë sulmuese pati katër basketbollistë me pikë dyshifrore, por më i dalluari ishte përfaqësuesi i Kosovës, Meriton Ismaili me 15 pikë e pesë rebounds.
Kështu në përmbyllje të javës së parë të elitës së basketbollit në Kosovë, Trepça i prinë tabelës, pas fitores më të thellë të shënuar në ndeshjen e parë.
