KATAR 2022 | Shkëlqen Fernandes me dy gola, Portugalia mposht Uruguain dhe siguron kualifikimin tutje
Kombëtarja e Portugalisë ka mposhtur me vështirësi Uruguain për të avancuar në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës "Katar 2022".
Portugezët shënuan fitore me rezultat komod 2:0, sfidë që ishte shumë e hapur nga minuta e parë.
Portugalia kishte dominimin nga minuta e parë duke rrezikuar menjëherë me Cristiano Ronaldon dhe Joao Felix, që u mungoi konkretizimi.
Rasti i vetëm që e kishte Uruguai gjatë 45-minutëshit të parë, ishte ai i mesfushorit Rodrigo Bentacur, i cili për mrekulli dribloi mes tre futbollistëve, por pastaj nuk ia doli ta mposht portierin Diogo Costa (32').
Bruno Fernandes ia doli ta thyejë "akullin" duke kaluar Portugalinë në epërsi me një gol nga distanca, që në fakt provoi të ishte asistim për Cristiano Ronaldon dhe goli fillimisht u vlerësua si gol i CR7.
Por pastaj, FIFA e numëroi si gol të Fernandesit, pasi pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk e kishte prekur fare topin me kokë (54').
Pas këtij goli, Uruguai u hodh me të gjitha forcat në "sulm" dhe kishte disa raste të mira përmes Maximiliano Gomez dhe Luis Suarez, por të dy dështuan nga disa pozita të mira.
Krejt në fund, Fernandes fitoi një penallti pasi Gimenez kishte prekur topin me dorë dhe pas një rishikimit të VAR-it, arbitri akordoi 11-metërsh.
Nga pika e bardhë, portugezi ishte i pagabueshëm duke vulosur fitoren prej 2:0 (90+3').
Me këtë fitore, Portugalia kualifikohet tutje pasi tashmë ka gjashtë pikë në grupin H, derisa Uruguai ende ka gjasa për kualifikim pavarësisht që janë në fund me vetëm një pikë.
Në xhiron e tretë, njëkohësisht të fundit, Portugalia do të përballet me Korenë Jugore derisa Uruguai me Ganën.