"Paqe" mes ShBA-ve dhe Uellsit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë pikët me Uellsin, në kuadër të rrethit të parë të fazës së grupeve në Kupën e Botës "Katar 2022".
Ndeshja mes dy kombëtareve ishte tejet interesante, me rezultatin përfundimtar që doli të jetë 1:1.
ShBA e nisi më mirë ndeshjen, duke pasur një rast të shkëlqyeshëm me anë të Joshua Sargent, që dështoi nga afërsia.
Pas një aksioni të shpejtë, Christian Pulisic me një vizion të bukur e gjeti Timothy Weah, i cili me një goditje brilante realizoi për të kaluar në epërsi (36').
Pas golit të pësuar, Uells nisi të rrezikojë për të barazuar rezultatin, por që nuk ia doli, kësisoj ky rezultoi të jetë epilogu i pjesës së parë.
Gjatë pjesës së dytë, Uells kishte disa mundësi të mira përmes Ben Davies dhe Kieffer Moore, por të dy dështuan t'i konkretizojnë shanset e tyre.
Heroi për Uellsin, ishte vetë kapiteni Gareth Bale, i cili u faullua brenda zonës nga Zimmerman, me arbitrin që akordoi penallti. Nga pika e bardhë, ish ylli i Real Madridit nuk gaboi për të barazuar rezultatin (82').
Kështu, ShBA dhe Uells ndajnë pikët në grupin B dhe dy ndeshjet e radhës do të jenë "jetike" për të mësuar kush kualifikohet tutje.
Momentalisht, Anglia që padyshim është favoriti, mban kreun e tabelës me tre pikë, derisa Uells dhe ShBA me nga një sosh. Në anën tjetër, Irani nuk ka pikë.
Në xhiron e radhës, Uells do të përballet me Iranin, derisa ShBA do të kenë punë me Anglinë.