KATAR 2022 | "Paqe" mes Holandës dhe Ekuadorit, kualifikimi përcaktohet në ndeshjet e fundit - NACIONALE

KATAR 2022 | "Paqe" mes Holandës dhe Ekuadorit, kualifikimi përcaktohet në ndeshjet e fundit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot, Holanda barazoi 1:1 kundër Ekuadorit, në një sfidë ku të besuarit e përzgjedhësit Van Gaal lanë shumë për të dëshiruar.

Holanda është fare larg nga shkëlqimi i saj i dikurshëm. Këtë e demonstroi edhe sot, pasi nuk ka arriti që të bindë ndaj Ekuadorit, duke u ndaluar në një barazim krejtësisht të përligjur.

Në përgjithësi ishte një ndeshje që u karakterizua me një lojë të ekuilibruar, ku asnjëra prej dy kombëtare nuk arriti të ishte plotësisht mbizotëruese në fushë.

Ndeshja nisi më mirë për Holandën. Goli i parë erdhi shumë shpejt dhe atë në formën më të përsosur të mundshme.

Pasi pranoi topin nga Klaasen, Gakpo ia liroi vetes një hapësirë nga një distancë jo shumë e largët, duke bërë që ta koordinonte më pastaj një goditje shumë të furishme, e cila përfundoi në rrjetë për 1:0.

Megjithatë, nga ky moment Holanda “e dorëzoi” mbizotërimin në lojë, duke bërë kështu që Ekuadori të niste që ta merrte veten.

Në minutën e 32-të ishte Valencia që kishte një rast të mirë, por portieri u tregua në nivel të detyrës. Më vonë, Ekuadori arriti ta barazojë rezultatin, por goli u vlerësua i parregullt për pozitë jashtë loje.

Kështu, goli i shënuar në 45+4’ nga Estupinan nuk ishte i vlefshëm, përkundër shumë kontestimeve që ngjalli në bankën e kombëtares amerikano-jugore.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Ekuadorin. Qasja e tyre sulmuese në lojë ishte frytdhënëse. Një huti e pakuptimtë në mbrojtjen e Holandës ishte përcaktuese për golin e barazimit që pasoi më vonë.

Në minutën e 49-të pasi Estupinan goditi drejt portës, më së miri u gjend Valencia afër portës për ta shtyrë në rrjetë topin e pritur nga portieri Noppert.

E gjithë pjesa tjetër e mbetur e lojës ishte e zbehtë, pa raste konkrete për gol. Të dy ekipet kombëtare u pajtuan me një barazim.

Holanda nuk ishte aspak e rrezikshme deri në fundin e ndeshjes. Sulmet e saj ishin të ngadalta dhe të lexueshme, pa mundur që t’i zinin në befasi kundërshtarët. Kështu, tërë ndeshja përfundoi me epilogun 1:1.

Për Holandën në masë të madhe ky rezultat mund të llogaritët matematikisht i kënaqshëm, marrë parasysh se ndeshjen e fundit do ta luajë me Katarin. Një sfidë në letër e lehtë, e cila do t’ia mundësonte atyre që të kualifikoheshin në vendin e parë.

Ndërkaq Ekuadori do ta luajë një finale në vete kur më 29 nëntor do të ndeshet ndaj Senegalit. Kombëtarja afrikane do të hyjë me çdo kusht për të fituar, kurse Ekuadorit në atë rast do t’i konvenonte edhe një pikë.

Pas rrethit të dytë të ndeshjeve që u luajtën në Grupin A, Holanda pozicionohet e para me 4 pikë, aq sa ka edhe Ekuadori që pason në vendin e dytë. Senegali zë vendin e tretë me 3 pikë, kurse Katari atë të fundit me asnjë pikë të grumbulluar – e që zyrtarisht është eliminuar.

Përmbledhja e ndeshjes Holandë - Ekuador

Lajme të ngjashme