KATAR 2022 | Kush do ta fitojë Kupën e Botës? (Favoritët)
Kupa e Botës në Katar fillon sot me ndeshjen hapëse të mikpritësit ndaj Ekuadorit. 29 ditë vetëm ndeshje futbolli, që në fund më 18 dhjetor të përcaktohet një fitues. Më poshtë do të listojmë favoritët në letër për të triumfuar në këtë turne, por jo domosdoshmërisht do të jetë fituesi nga ato.
32 kombëtare pjesëmarrëse, të ndara në tetë grupe nga katër skuadra, ku vetëm një do të triumfojë në fund.
Gazeta Nacionale ka hapur një sondazh në grupin e saj në Viber, ku mund të votoni në pyetjen: Kush do ta fitojë Kupën e Botës?

Favoriti kryesor për të triumfuar në fund është kampioni i pesëfishtë i botës, Brazili, që udhëhiqet nga yjet si Neymar e Vinicius Jr me një trajner mjaft me përvojë siç është Tite.
Brazilianët janë favoritët edhe te kompanitë e basteve, ku ka një kuotë prej 6,0 për të fituar, teksa edhe kompjuteri me inteligjencë artificiale ia dha mundësitë më të mëdha me 15,8 % për të fituar.

Një tjetër kombëtare nga Amerika Latine gjendet në pjesën e sipërme të favoritëve, bëhet fjalë për Argjentinën e Lionel Messit, i cili nuk e ka fituar kurrë më parë dhe kjo shihet si mundësia e fundit për të. Shanset e tyre sipas kompanive të basteve janë koutizuar me 6,50, ndërsa inteligjenca artificiale thotë se 12,6% janë shanset për të çuar trofeun lartë.

Kampioni në fuqi i Botërorit, Franca, është një nga favoritët kryesor, por tani ajo është shumë e mangët, me disa yjet që nuk ia dolën për të qenë me skuadrën për shkak të lëndimeve, dhe së fundmi Karim Benzema u largua pas një lëndimi të pësuar në kofshë gjatë stërvitjeve.
Kombëtaret tjera që janë me emër të madh, por që shanset janë më të zbehta se tri skuadrat më lartë janë Spanja, Anglia, Gjermania, Portugalia e Belgjika.
Portugalia ka një skuadër mjaft kompakte, në krye me Cristiano Ronaldon, që ashtu si Lionel Messi, kërkon lavdinë e fundit, në mundësinë e fundit.

Por shanset e tyre janë të zbehta, pasi në kushte normale nëse shkon gjithçka mirë me skuadrat tjera, ata në çerekfinale mund të përballen me Gjermaninë ose Spanjën, varësisht se cila pozicionohet më mirë në tabelë.
Zvicra e Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit e Ardon Jasharit gjendet shumë poshtë në listën e favoritëve, krejt kjo pasi që bënë pjesë në një grup me favoritin kryesor Brazilin dhe me një Serbi që është përmirësuar kohët e fundit dhe kanë shumë yje në radhët e saj.
Ndërkohë, ka edhe shumë ekipe që mund të befasojnë siç është Senegali, Polonia, Gana e Amerika.

