Katar 2022 | Kroacia nuk arrin asgjë më shumë se një barazim me Marokun
Nënkampioni i Botërorit të kaluar, Kroacia, nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në ndeshjen e tyre të parë në grupin F, ku u përballen me Marokun, në rrethin e parë të fazës së grupeve.
Kjo ndeshje u zhvillua në stadiumin Al-Bayt, aty ku u bë hapja madhështore e këtij turneu.
Të dy skuadrat zhvilluan mjaft futboll të mirë, duke krijuar raste në të dy anët, por që në asnjë rast nuk u arrit goli.
Pjesa e parë për një nuancë i takoi Kroacisë, e cila hyri në ndeshje si favorite për të marrë pikët e plota.
Ata kishin posedimin e topit dhe arritën ta krijonin goditjen e vetme në portë gjatë 45 minutave të para, ku sulmuesi i Torinos, Vlasic tentoi nga afërsia, por portieri maroken reagoi shumë mirë për të mbajtur rezultatin e barabartë.
Edhe kapiteni Modric rrezikoi në mbyllje të kësaj pjese me një goditje të fortë, por tentimi i tij shkoi pakëz mbi portë.

Pjesa e dytë tregoi një fytyrë tjetër të Marokut, më kërkuese në pjesën e përparme të fushës, ndonëse Kroacia vazhdonte me mbajtjen e posedimit në të mirë të tyre.
Livakovic u pozicionua mirë në dy goditjet në portë nga Maroku, me Hakimin dhe En-Nesyri që provuan.
Deri në fund të ndeshjes raste të mira shënimi nuk pati dhe si rrjedhojë ndeshja përfundoi pa gola 0:0.
Mbrojtësi i Bayern Munichit, Mazroui, u largua nga loja në minutën e 60-të për shkak të një lëndimi, ku ata shpresojnë të mos jetë asgjë serioze, sepse është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës.
Me këtë barazim, dy skuadrat momentalisht mbajnë pozitat e para deri në zhvillimin e ndeshjes tjetër në këtë grup, që zhvillohet mes Kanadasë e Belgjikës në mbrëmje me fillim nga ora 20:00.
Ndeshjen e radhës kroatët do të përballen me Kanadanë, të dielën e 27 nëntorit, po të njëjtën ditë kur zhvillohet edhe ndeshja Belgjikë – Maroku.
Përmbledhjen me rastet më të mira në ndeshje mund ta shikoni këtu:
Përcill zhvillimet dhe artikujt e fundit nga botërori duke klikuar KËTU!