KATAR 2022 | Kroaci – Brazil pa gola në kohën e rregullt, ndeshja shkon në vazhdime
Çerekfinalja e parë e këtij Botërori mes Kroacisë dhe Brazilit nuk ka dhënë fitues pas 90 minutave të zhvilluara, duke përfunduar pa gola 0:0. Dy kombëtaret tani gjysmëfinalen do ta kërkojnë nëpërmjet vazhdimeve apo edhe penalltive.
Brazili ishte më e mirë gjatë të dy pjesëve, duke krijuar raste shumë të mira shënimi, por për këtë rezultat më meritori ishte Dominick Livakovic, që priti disa tentime të brazilianëve.
Në anën tjetër edhe kroatët nuk ishin indiferentë, duke luajtur një lojë shumë të mirë taktike, herë pas here duke rrezikuar në kundërsulme, por që nuk arritën të dërgonin asnjë goditje në drejtim të Alissonit.
Kroacia rastin më të mirë në ndeshje e pati gjatë pjesës së parë, kur Perisic dështoi ta godiste topin mirë nga afërsia.
Ndërsa jug-amerikanët rastin më të mirë në ndeshje e patën me të nisur pjesa e dytë, kur një pasim i Militaos në zonën e rrezikshme u devijua nga Gvardiol, në të cilin top mrekullisht intervenoi Livakovic, për ta mbajtur në lojë Kroacinë për pjesën tjetër të ndeshjes.
Intervali i dytë kohor ishte shumë më produktiv për nga rastet e krijuara, por finalizimet lënin për të dëshiruar.
90 minuta gola nuk pati, ndërsa tani do të fillojnë vazhdimet nga ku do të kërkohet gjysmëfinalisti i parë i këtij Botërori, dhe në rast që nuk do të ketë fitues as pas 30 minutave, fituesi do të përcaktohet nga penalltitë.
