Katar 2022 | Kosta Rika kujdeset për befasinë tjetër në Botëror, me një goditje në portë e mposht Japoninë
Pas tronditjes që shkaktoi katër ditë më parë duke mposhtur Gjermaninë, Japonia sot ndaj Kosta Rikës nuk ka arritur të bind sërish dhe u mposht nga Kosta Rika me rezultat minimal 1:0, në një ndeshje shumë monotone pa shumë rrjedhshmëri në lojë.
Pjesa e parë e këtij takimi, hyn te ndeshjet më të dobëta të këtij Botërori në Katar, duke mos prodhuar pothuajse asgjë, me shumë topa të humbur nga dy skuadrat dhe asnjë godite në drejtim të portierëve.

Kosta rikanët erdhën në këtë ndeshje pas një humbje të turpshme ndaj Spanjës me rezultat 7:0 dhe rrjedhimisht nuk pritej shumë nga ta, ndërsa prej Japonisë pas asaj befasie të ëmbël ndaj Gjermanisë pritej më shumë.
Në pjesën e dytë Japonia filloi ta kërkonte golin, interval në të cilin erdhi edhe goditja e parë në drejtim të portës, teksa Kosta rikanët vazhduan të mos dukeshin në fushë.
Ishte Keylor Navas që shpëtoi mrekullisht portën e tij dhe ia mohoi golin e Japonisë në një rast shumë të mirë, kur po zhvillohej pak më shumë se një orë lojë.
Por befasia ndodhi. Kosta Rika në goditjen e parë të saj në drejtim të golit, shënoi.
Ishte Tejeda që asistoi për Fuller Spencer, i cili me një goditje të mirë shënoi për 1:0 në minutën e 81-të, por duhet thënë se edhe portieri japonez nuk ishte në nivelin e tij në këtë rast, pasi që ishte një goditje relativisht e lehtë, pavarësisht se ishte shumë teknike.
Ky doli të jetë goli i fitores së madhe për Kosta Rikën, që dorën në zemër nuk është se meritoi diçka nga kjo ndeshje.
Kjo fitore e Kosta Rikës në 10 minutat e fundit të takimit me rezultat 1:0, më së shumti në punë i hynë Gjermanisë, të cilës i rriten shpresat se me një fitore sot ndaj Spanjës, mund ta kërkojë kualifikimin pastaj në ndeshjen e fundit kundër Kosta rikanëve, ndeshje kjo që zhvillohet pas katër ditësh.
Japonia në ndeshjen e ardhshme përballet me Spanjën e Kosta Rika me Gjermaninë, që me shumë gjasë do të jenë ndeshje vendimtare për përcaktimin e dy skuadrave të para në grupin E.
Përmbledhja nga ndeshja Japoni - Kosta Rikë:
