KATAR 2022 | Dëshpërim dhe krenari për marokenët në Kupën e Botës - NACIONALE

KATAR 2022 | Dëshpërim dhe krenari për marokenët në Kupën e Botës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shpresat e marokenëve për t’u bërë vendi i parë afrikan që arrin në finale të Kupës së Botës përfunduan në dëshpërim të thellë, pasi ekipi kombëtar i tyre u mposht 2:0 nga Franca të mërkurën.

Përkrahësit e mbledhur nëpër Marok, Evropë, dhe në vendin nikoqir Katar, po shpresonin se do ta tejkalonin ish-sunduesin e vet kolonial në gjysmëfinale.

Por nuk ishte e shkruar, pasi golat nga Theo Hernandez dhe Randal Kolo Muani i mjaftuan kampiones në fuqi për të arritur në finalen e dytë radhazi.

Ne humbëm, por jemi shumë krenarë”, tha një tifoz në Kazablanka.

Në Paris kishte një numër shumë të madh policësh nëpër rrugë për shkak të ndeshjes, sepse Franca është shtëpia e qindra mijëra njerëzve me origjinë marokene.

Tifozët e mbledhur në Champs Elysees valëvitën flamuj të Marokut por edhe të vendeve të tjera të Afrikës Veriore.

Forca policore u panë edhe në qytetet e tjera evropiane, përfshirë në Bruksel, ku tifozët e Marokut i kishin festuar fitoret në ndeshjet e kaluara në Botëror, duke ndezur fishekzjarrë.

Në Hagë, Holandë, moti i ligë – dhe disfata – ua kufizuan aktivitetet pas ndeshjes tifozëve.

Shumë tifozë në stadiumin Mohammed V në Kazablanka, ku ishin mbledhur për ta parë gjysmëfinalen, thanë se ecuria historike e Marokut në Katar ishte vetëm fillimi i një të ardhmeje shumë premtuese për futbollistët e Marokut.

Nëpër kafenetë në Kazablanka, tifozët filluan të ndiheshin tejet të zemëruar nga pamundësia e ekipit të tyre për të shënuar.

Një tifoz, i rritur në Francë por i lindur në Marok, tha për BBC se donte që Maroku të fitonte sepse ishte koha që Afrika ta fitojë Kupën e Botës.

Tifozët marokenë e shikuan ndeshjen edhe një tendë të madhe që ishte vendosur pranë qendrës kulturore arabe në Madrid.

Pavarësisht të gjithave, unë jam krenare me ekipin tonë”, tha Inas, një mësuese e gjuhës angleze nga Rif, e cili kishte veshur një fanellë të ekipit kombëtar maroken.

Ata përfaqësuan më shumë se vetëm futboll, ata na dhanë neve një fitore simbolike në shumë mënyra, vëmendjen ndërkombëtare dhe respektin”, tha ajo për BBC.

Munir po e shikonte lojën me një grup miqsh dhe, edhe pse ishte i zemëruar pas golit të dytë të Francës, ai ishte i optimist.

Kjo ngjarje vjen një herë në jetë. Madje as fëmijët tanë nuk do të përjetojnë diçka të tillë. Për mua do të thotë gjithçka”, tha Munir.

Lajme të ngjashme