KATAR 2022 | Anglia dhe ShBA ndahen në paqe, barazojnë pa gola - NACIONALE

KATAR 2022 | Anglia dhe ShBA ndahen në paqe, barazojnë pa gola

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Anglia dhe ShBA kanë ndarë pikët në sfidën e sotme, duke luajtur baras 0:0, në një ndeshje që nuk prodhoi ndonjë lojë shumë ritmike.

Për hir të vërtetës më shumë raste për shënim pati ShBA. Madje, një herë goditi edhe shtyllën me Pulisic, ku Anglia ishte me shumë fat.

Ndeshja ishte shumë e ekuilibruar dhe e barabartë në çdo fazë të saj, me ekipet që në masë të madhe u pajtuan me epilogun përfundimtar, për t’u ndarë në paqe me një pikë.

Fillimisht ishte Anglia që u përpoq të ishte e rrezikshme me Harry Kane në minutën e 10-të, por goditja e tij u ndal nga mbrojtja kundërshtare.

Një rast flagrant për të shënuar e pati ShBA më vonë. Në minutën e 26-të ishte mesfushori McKennie që shpërdoroi një mundësi të mirë shënimi nga një penallti në lëvizje. Goditja e tij përfundoi jashtë kornizës së portës (VIDEO).

Ishin minuta të mira këto të ndeshjes për ShBA-të. Në minutën e 33-të në skenë u shfaq Pulisic. Ai me një goditje të bukur nga distanca dridhi shtyllën e Pickford (VIDEO).

Për Anglinë rastin më të mirë e pati mesfushori sulmues i Chelseat, Mount. Në minutën 45+1’ goditja e tij u prit për mrekulli nga portieri Turner (VIDEO).

Pjesa e parë edhe pse u mbizotërua nga ShBA-të, përfundoi me rezultatin pa gola, 0:0.

Megjithatë, paraqitja e zbehtë e Anglisë vazhdoi edhe në pjesëlojën e dytë. Gjithçka ishte më e kalkualuar në 45 minutat e fundit.

Të dy ekipet nuk deshën që të rrezikojnë shumë, duke u pajtuar me një pikë. Paraqitje e Anglisë ishte larg asaj çfarë u pa në ndeshjen e parë kundër Iranit në sfidën e parë, që e fitoi 6:2.

Gjithsesi, i vetmi rast për gol që u pa në pjesën e dytë ishte ai i Harry Kane në fund të takimit. Një minutë para se të përfundonte ndeshja, më saktësisht në minutën 90+3’, sulmuesi 29-vjeçar goditi me kokë, por topi përfundoi për një fije peri larg shtyllës së majtë të Turner (VIDEO).

Në momentin kur gjyqtari i ndeshjes fishkëlleu fundin e saj, nga tribunat e stadiumit u dëgjuan kontestime të mëdha, me tifozët që ishin të pakënaqur me atë që panë në fushë, duke fishkëlluar.

Angli vazhdon të jetë liderë e Grupit B edhe pas rrethit të dytë të ndeshjeve që u zhvilluan. Kombëtarja e drejtuar nga Southgate udhëheq me 4 pikë në vendin e parë. Pason Irani me 3 pikë në vendin e dytë, ShBA në vendin e tretë me 2 pikë, kurse Uellsi në fund me një pikë.

Ndeshjen e fundit Anglia do ta luajë më 29 nëntor kundër Uellsit me fillim në ora 20:00, kurse ShBA luan sfidën jetike për kualifikim ndaj Iranit në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin orar.

Përmbledhja e ndeshjes Angli - ShBA:

Lajme të ngjashme