Kapiteni i Ballkanit Edvin Kuc shënon dy gola fantastik në debutim te Mali i Zi (VIDEO)
Kapiteni i Kampionit të Kosovës, FC Ballkanit, Edvin Kuc, sot ka debutuar për kombëtaren e Malit të Zi, në një miqësore kundër Lebanonit, aty ku ka shënuar dy gola fantastik në fitoren 3:2.
Kuc mori ftesë për herë të parë nga shteti ku u lind dhe u rrit, pas paraqitjeve fantastike me ‘Xhebrailat’. Këtë besim të dhënë nga trajneri i Malit të Zi, ai e përdori në mënyrën më të mirë, duke ia kthyer me dy gola të shënuar.
Zhvillohej minuta e 16-të kur Stevan Jovetic ktheu një top te Kuc që ishte i pozicionuar mirë për një gjuajtje nga distanca, për të shënuar gol të mrekullueshëm për 1:0.
Tre minuta më vonë, Edvin Kuc shënoi përsëri, tani për 2:0, pasi u gjend mirë në zonë kur asistoi shqiptari Driton Camaj.
Deri në fund të takimit, Osmajic shënoi një gol tjetër për Malin e Zi, ndërsa dy gola për Lebanonin u shënuan nga Darwich dhe Tneich.
Për Kuc këto dy gola janë të parët në karrierën e tij me kombëtaren dhe padyshim që me paraqitjen e sotme, ai do ta fitojë besimin e trajnerit edhe për ndeshjet e ardhshme.