Kaos në ndeshjen SHBA – Meksikë: 4 kartonë të kuq dhe thirrje homofobike
Katër futbollistë u përjashtuan me kartonë të kuq dhe ndeshja u ndërpre përkohësisht për shkak të thirrjeve homofobike gjatë fitores së Shteteve të Bashkuara 3:0 kundër Meksikës në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve të Concacaf-it.
Christian Pulisic i shënoi dy gola dhe Riccardo Pepi një për t’ia fituar SHBA-së këtë ndeshje tejet të tensionuar të enjten mbrëma.
Cesar Montes - pasi e shkelmoi Florian Balogun- dhe Ferardo Arteaga u përjashtuan nga loja nga ekipi meksikan, bashkë me Weston McKennie dhe Sergino Dest nga ai amerikan.
Ndeshja u ndërpre shkurtimisht kah fundi për shkak të thirrjeve homofobike.
The US-Mexico game at Allegiant Stadium went well pic.twitter.com/nciEGilCth
— Las Vegas Locally 🌴 (@LasVegasLocally) June 16, 2023
Pulisic e çoi në 2:0 epersine e skuadrës së tij vet, para se Montes të përjashtohej nga loja në minutën e 69-të pas një ndërhyrje tejet të ashpër në sulmuesin Balogun, i cili po luante ndeshjen debutuese për SHBA-në.
McKennie – mesfushori që e kaloi sezonin e fundit në huazim te Leeds nga Juventusi - u përjashtua për shkak të një kacafytjeje me kundërshtarët.
Pepi e vulosi fitoren e SHBA-së në minutën e 78-të duke shënuar golin e tretë dhe më pas ndodhi edhe përjashtimi i Artega dhe Dest gjatë një përleshjeje tjetër masive.
Tifozët hodhën pije në fushë dhe u paralajmëruan nga spikeri i stadiumit se ndeshja do të anulohej për shkak të brohoritjeve homofobike.
Gjyqtari e kreu ndeshjen rreth gjashtë minuta para se të përfundonte koha e dhënë shtesë prej 12 minutave.
“Ky është një rezultat i madh për ne, është një fitore madhe dhe jemi në finale. Por nuk ishte e nevojshme që ndeshja të shndërrohej në këtë çmenduri që e pamë”, tha Pulisic pas ndeshjes.
Shtetet e Bashkuara do të përballen me Kanadanë në finale të Ligës së Kombeve të Federatës së Futbollit të Amerikës Jugore, Qendrore dhe Karaibeve.
Kanadaja arriti në finale pasi të hënën e mundi 2:0 Panamanë falë golave nga Jonathan David dhe Alphonso Davies.