Kampioni olimpik që ia ktheu shpinën Vladimir Putinit - NACIONALE

Kampioni olimpik që ia ktheu shpinën Vladimir Putinit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Aleksander Lesun nuk e mban në mend shumë Bashkimin Sovjetik, megjithëse aty ishte lindur në vitin 1988, tri vite para shpërbërjes së tij.

Duke u rritur në Bjellorusi në vitet 1900-ta, shumicën e viteve të zhvillimit të tij ai i kaloi duke kërkuar frymëzim nga arritjet sportive të sovjetikëve.

Nganjëherë ai madje ndjeu xhelozi duke i dëgjuar rrëfimet për atë se si ishin gjërat për atletët sovjetikë, derisa po ëndërronte që një ditë të bëhej kampion olimpik.

Sporti ishte prioritet i madh për Bashkimin Sovjetik, por shtetet e reja të formuara pas shpërbërjes sovjetike, si Bjellorusia, nuk kishin mundësi të investonin njësoj në sport.

Për Lesunin, përpjekjet për t’ia dalë si sportist i ri nënkuptuan vështirësi për mbijetesë. Kur i erdhi mundësia për ta ndërruar vendin dhe ta përfaqësojë Rusinë më 2009, ai e përqafoi me dy duart dhe jo vetëm sepse për të nënkuptonte financim më i mirë.

“Isha krenar të garoja nën valëvitjen e flamurit rus. Gjyshja ime është ruse, kam shumë të afërm në Rusi”, tha Lesun.

“Rusinë e kisha gjithmonë të përzemërt, diçka të fortë, të madhe. Dhe nuk po flas për politikën apo ushtrinë, po për popullin, për bukurinë natyrale. Gjithmonë ndieja një lidhje me të”, tregoi ai.

Pas vitit 2009, Lesuni i fitoi 14 medalje në Kampionatin Botëror për Rusinë në pesëgarësh, katër prej të cilave ishin të arta.

Në vitin 2016 në Rio, ai u bë kampion olimpik.

Në fund të shkurtit 2022, ai vendosi të mos garojë për Rusinë kurrë më.

“Hoqa dorë nga të gjitha pozitat e mia sportive më 22 shkurt dhe brenda dy ditëve të gjitha ngjarjet në Ukrainë nisën”, tha ai.

“Si u ndjeva? A mund të shaj në këtë intervistë? Të them se u trondita është asgjë. E kuptova se bota nuk do të ishte e njëjta kurrë më”, shpjegoi ai.

Lesun nuk kishte plan B. Ai e përshkruan vendimin e tij si impulsiv. Ai nuk kishte oferta të tjera, askush nuk i ofroi mundësi të largohej nga Rusia. Tani ai e ka nisur një punë që nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me sportin.

Ai është njëri ndër sportistët e pakët rusë që flasin kundër luftës në Ukrainë. Madje edhe më pak kanë ndërmarrë veprime të cilat i ka ndërmarrë ai – heqjen dorë nga përfaqësimi i shtetit të vet si mënyrë e kundërshtimit.

Të flasësh haptazi është gjë shumë e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja të rënda. Mijëra njerëz janë arrestuar në protesta kundër luftës. Një ligj i ri kriminal e ndalon përshkrimin e asaj që qeveria ruse e quana “operacion special ushtarak” në Ukrainë si pushtim apo luftë. Gjatë intervistës, Lesuni me kujdes e ka shmangur përdorimin e këtyre fjalëve.

“Gjendja brenda Rusisë po bëhet tejet e rëndë. Më herët mund të jesh burgosur për 15 ditë për pjesëmarrje në protesta kundër luftës. Tani mund të burgosesh deri në tri vjet. Apo edhe 15 vjet për ndonjë protestë tjetër”, tregoi ai.

Lajme të ngjashme