Kampioni i kthehet fitoreve, Llapi e mposht Feronikelin, Fushë Kosova 'macë e zezë' për Dritën - NACIONALE

Kampioni i kthehet fitoreve, Llapi e mposht Feronikelin, Fushë Kosova 'macë e zezë' për Dritën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë zhvilluar tre ndeshjet e para të javës së 23-të të Superligës së Kosovës në futboll, aty ku kampioni i Kosovës, Ballkani, është kthyer në rrugën e fitoreve duke triumfuar ndaj Dukagjinit me rezultat 2:1, në anën tjetër Llapi ka fituar me shumë mund ndaj Feronikelit, ndërsa Drita u mposht nga Fushë Kosova.

Ballkani nuk dinte për fitore në tri ndeshjet e fundit, duke barazuar dy herë dhe humbur një, që ua mundësoi ndjekësve të afrohen në garën për titull, por duket që skuadra e Ilir Dajës me ndeshjen e sotme ka lënë pas formën e keqe.

Dukagjini - Ballkani

Përballja mes 'Hithave' dhe 'Xhebrailave' u zhvillua në Klinë në stadiumin 18 qershori.

Kampioni i Kosovës bëri një pjesë të parë relativisht të mirë, nga ku shënoi dy golat e takimit.

Ishte Meriton Korenica që në minutën e parë shënoi gol për ta kaluar skuadrën e tij në epërsi 1:0.

Korenica u përfshi sërish edhe në golin e radhës, pasi ishte ai që nxori penalltinë, të cilën në minutën e 27-të lehtësisht në gol e konvertoi Nazmi Gripshi për 2:0.

Në vazhdim, krejt çfarë Dukagjini bëri, ishte ngushtimi i rezultatit me anë të Max Rugovës, i cili në minutën e 88-të shënoi për 2:1.

Suharekasit me këtë fitore, do të vazhdojnë në vendin e parë me 48 pikë, një më shumë se Llapi që fitoi sot.

Feronikeli 74 - Llapi

Skuadra e Tahir Batatinës po kalon një fillim fantastik të gjysmësezonit të dytë, duke qenë çdoherë e më afër vendit të parë.

Sot ata u përballen me Feronikelin 74 në Drenas, në një ndeshje të baraspeshuar në pjesën më të madhe të takimit, me Llapin që në një moment bëri dallimin.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 69-të, kur Muhamet Hyseni e çoi skuadrën e tij në epërsi 1:0.

Hyseni ashtu si skuadra e tij janë në formë jetësore, pasi i prinë listës së golashënuesve në Superligën e Kosovës.

Me këtë fitore, Llapi, ka vetëm një pikë më pak se lideri, Ballkani.

Fushë Kosova - Drita

Fushë Kosova, skuadër kjo që gjendet në vendin e parafundit me shumë pak gjasa për mbijetesë, është shndërruar në një mace të zezë për Dritën.

Macë e zezë për faktin se deri më tani në tre takimet e këtij sezoni, përfshirë edhe ndeshjen sot, ata kanë arritur ta ndalin me barazim një herë skuadrën gjilanase, ndërsa Intelektualët e kanë fituar njërën me shumë vështirësi 1:0, e sot Fushë Kosova triumfoi.

Pampurat krijuan vështirësi për një nga skuadrat më të mira kosovare në vitet e fundit.

Drita ishte skuadër më e mirë në fushë, me disa raste të mira shënimi, por vlen të ceket se portieri italian i Fushë Kosovës ishte në krye të detyrës, duke shpëtuar skuadrën e tij disa herë, madje në një rast priti penalltinë e gjuajtur nga Almir Ajzeraj.

Fushë Kosova në një nga rastet e rralla shënoi me anë të Sinan Sinanovic, për ta fituar ndeshjen.

Me rezultatin 1:0 përfundoi takimi në stadiumin Sami Kelmendi në Lipjan, dhe tani Drita mbetet katër pikë larg Llapit të vendit të dytë, dhe pesë nga lideri, Ballkani.

Lajme të ngjashme