Kakà: Brazili është favorit për ta fituar Kupën e Botës - NACIONALE

Kakà: Brazili është favorit për ta fituar Kupën e Botës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-ylli i Milanit, Real Madridit dhe Brazilit, Leite Kakà, është intervistuar në lidhje me Botërorin që po vjen, ku është shprehur pa fije mëdyshje se kombëtarja braziliane është favoriti kryesor për të ngadhënjyer në sytë e tij.

Mungojnë më pak se dy javë deri në fillimin e Botërorit Katar 2022. Ngjarja më e madhe në nivel futbolli ka filluar të marrë vëmendjen e plotë që tani.

Leite Kakà ishte protagonist i disa Botëroreve, edhe pse arriti që ta fitonte vetëm një herë trofeun më të lakmuar për çdo futbollist. Sidoqoftë, ai mendon se një gjë të tillë mund ta bëjnë bashkëkombësit e tij, respektivisht Kombëtarja e Brazilit, të cilën e sheh favoritin kryesor në këtë Kupë të Botës.

“Brazili është favoriti kryesor, sepse ka kohë që po punon në këtë projekt. Konfirmimi i përzgjedhësit Tite ka qenë i duhuri, sepse tani grupi i lojtarëve ka përvojën e nevojshme”, shpjegoi Kakà për “Gazzetta Dello Sport”.

Ish-ylli i Milanit mendon se lojtarët kanë fituar pjekurinë e duhur gjatë këtyre viteve, ku shumë prej tyre janë zhvilluar në drejtim të duhur.

“Shumë prej tyre janë zhvilluar dhe pastaj ka befasi të mira siç është Bremer që nuk e njihje deri para nisa muajsh”
, nënvizoi ai.

Ai nuk ngurroi t’i rendisë edhe emrat e kombëtareve tjera që mendon se janë favorite për ta fituar këtë Botëror mbrapa Brazilit.

“Mbrapa Brazilit vendosi Francën dhe Argjentinën”, shpjegoi ai.

Kakà rreth Ronaldos, Messit dhe lojtarëve tjerë në Botëror

Tutje, Kakà ka folur edhe rreth temave përcjellëse që e ngërthejnë këtë Botëror që po vjen, i cili, ashtu siç dihet, do të zhvillohet në një kohë të pazakonshme.

“Botërori të ndikojë paksa në këtë vit. Momenti i sezonit, temperatura dhe mungesa e udhëtimeve nga një ndeshje në tjetrën. Kampionët e mëdhenj do të jenë në optimumin e tyre”, tha ai.

Rreth Ronaldos dhe Messit ai mendon se do ta japin më të mirën prej vetes: “Të shohim nëse do të jetë Botërori i tyre i fundit. Sigurisht që do të kenë dëshirë për të treguar se akoma janë liderë.”

Krejt në fund Kakà tregoi se kë e sheh potencialisht edhe si pasardhës të dy lojtarëve që kanë shkruar historinë e futbollit në këtë milenium..

“Do të më pëlqente të ishte Neymar për talentin, njeriun që është dhe kampionin që është shndërruar. Mirëpo, edhe Mbappe është i jashtëzakonshëm”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Brazili do të jetë në të njëjtn grup me Zvicrën, Kamerunin dhe Serbinë.

Lajme të ngjashme