“Ka manipulime” - Gramoz Vokrri për thashethemet se s’është certifikuar në garë për president të FFK-së - NACIONALE

“Ka manipulime” - Gramoz Vokrri për thashethemet se s’është certifikuar në garë për president të FFK-së

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gramoz Vokrri ka thënë për Gazetën Nacionale se nuk është njoftuar nga Federata e Futbollit e Kosovës se kandidatura e tij për president të shtëpisë së futbollit të Kosovës nuk është certifikuar, duke hedhur dyshime se procesi është duke u manipuluar.

Klan Kosova, një medium i afërt me federatën, raportoi se Vokrrit nuk i janë pranuar 15 nënshkrimet e delegatëve që do t’ia siguronin garimin për president të FFK-së.

I pyetur nga Gazeta Nacionale nëse kandidatura e tij është hedhur poshtë, Vokrri tha se nuk e di.

“Nuk e di, askush nuk më ka njoftuar për këtë, por po e shoh nëpër media”, tha Vokrri për Nacionalen.

Ai shtoi: “Po shihet një tendencë për ta manipuluar procesin (e zgjedhjeve). Thuhet është bërë një komision për certifikimin e nënshkrimeve, por pse duhet të ekzistojë ai komision”.

Gramozi - djali i legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së Fadil Vokrri – i kishte dorëzuar 16 nënshkrimet javën e kaluar në zyrën e federatës duke e zyrtarizuar garimin për shef të futbollit vendor.

35-vjeçari madje i kishte bërë publike për media nënshkrimet e delegatëve që ia kishin mundësuar garimin.

Nëse komisioni i FFK-së e hedh poshtë kandidaturën e Vokrrit, atëherë presidenti i tanishëm Agim Ademi do ta ketë plotësisht të hapur rrugën për t’u rizgjedhur president për një mandat të dytë katërvjeçar, duke qenë se nuk do të kishte asnjë kundërshtar.

Lajme të ngjashme