Juventus nuk sheh dritë me sy, barazon në shtëpi kundër Atalantas
Juventus dëshpëroi tifozët e vet në “Allianz Stadium”, duke barazuar 3:3 kundër Atalantas. Një ndeshje që erdhi nga një javë e vështirë nëpër të cilën kaluan “bardhezinjtë”, pasi u penalizuan nga Tribunali Sportiv Italian me -15 pikë në renditje tabelore.
Gola me bollëk, por në fund të dy skuadrat u ndanë në paqe. Juventus e mënjanoi më të keqen, pasi në dy raste gjetën vetën në disavantazh, por pati forcë që të shënonte golat që rikthenin atë në lojë.
Llogarinë e golave e hapi Lookman qysh në minutën e 4-t të ndeshjes. Goli i ish-sulmuesit të Leicesterit erdhi si pasojë e një gabimi të rëndë të Szczesny, që nuk arriti ta presë një goditje që i kaloi në mesin e duarve të tij.
Megjithatë, vendësit reaguan mjaft shpejt në pjesë të parë, duke e përmbysur rezultatin me dy gola brenda nëntë minutave.
Fillimisht ishte Di Maria që u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 25-të, duke lërë të shtangur portierin kundërshtar.
Ndërkaq në minutën e 34-të sulmuesi polak Milik shfrytëzoi mjaft mirë asistin e mesfushorit italian Fagioli, duke e dërguar topin në rrjetë për 2:1.
Porsa nisi pjesa e dytë, gjegjësisht në minutën e 46-të, filluan edhe njëherë problemet për skuadrën juventine. Kësaj radhe ishte Maehle që shënoi, pasi pranoi një top të mirë nga Lookman.
Për ta konfirmuar paraqitjen shumë të mirë që zhvilloi Lookman, u shfaq sërish në skenë. Në minutën e 53-të me një goditje mjaft të bukur me kokë shkundi portën e skuadrës torineze, duke rikthyer sërish skuadrën e vet në epërsi, me rezultat 2:3.
Sido që të jetë, Juventusin e shpëtoi mbrojtësi i saj, Danilo. Ai në minutën e 65-të shënoi një gol mjaft të bukur, pasi ekzekutoi për mrekulli goditjen e lirë.
Deri në fund të ndeshjes, edhe pse pati orvatje nga të dy anët, nuk u shënua asnjë gol. Barazim që më shumë u konvenoi bergamaskëve sesa vetë Juventusit.
Pas kësaj ndeshje dhe penalizimit që pranoi gjatë ditëve që lëmë pas, Juventus zë pozitën e 9-të tabelore me 23 pikë të arkëtuara. Më mirë në tabelë gjen vetën Atalanta, që renditet në pozitën e 5-të me 35 pikë.
Përmbledhja e ndeshjes Juventus - Atalanta: