Juve, Milan dhe Inter interesohen për Harry Maguire
Juventus, AC Milan dhe Inter janë duke shikuar mundësitë për të nënshkruar me kapitenin e Manchester Unitedit, Harry Maguire.
30-vjeçari ka regjistruar 28 paraqitje këtë edicion nën urdhrat e Ten Hag, por ka humbur pozitën e titullarit, duke u renditur pas Lisandro Martinezit dhe Raphael Varanes.
Kësisoj, anglezi pritet të largohet nga "Old Trafford" në afatin kalimtar të verës dhe tani skuadrat e njohura janë duke e vëzhguar situatën.
Sipas "90min", Italia do të jetë destinacioni i radhës për Maguire, që dëshiron të provojë një ligë tjetër para pensionimit.
Raporti shton se Juventus, Inter dhe AC Milan e pëlqejnë mbrojtësin dhe do të tentojnë ta huazojnë me opsion blerje për vitin 2024.
Problemi kryesor do të jetë paga e lojtarit, pasi paguhet hiç më pak se 190 mijë funte për javë, gjë që do t'ia vështirësojë situatën edhe Man Unitedit që ta shesë.
Që prej kalimit te Man Unitedi në vitin 2019, Maguire ka bërë 172 paraqitje duke kontribuar me shtatë gola dhe pesë asistime.
Ai do të mungojë në ndeshjen e radhës gjysmëfinale ndaj Brightonit në kuadër të FA Cup shkaku i suspendimit prandaj Ten Hag duhet të luajë me Luke Shaw dhe Victor Lindelof si qendërmbrojtës.