Jurgen Klopp për sanksionet ndaj Chelseat: “Putini është përgjegjës” - NACIONALE

Jurgen Klopp për sanksionet ndaj Chelseat: “Putini është përgjegjës”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i ka mbështetur lojtarët, punonjësit dhe tifozët e Chelseat, pas sanksioneve që Qeveria e Britanisë së Madhe i vendosi ndaj pronarit të saj rus, Roman Abramovich.

Qeveria britanike ia ngriu asetet Abramovichit të enjten, në shenjë reagimi ndaj pushtimit rus në Ukrainë në shkurt, duke u bazuar në lidhjet e ngushta të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Para ndeshjes së Liverpoolit kundër Brightonit në fundjavë, Klopp e dha mendimin për këtë çështje dhe nënvizoi se faji nuk është i vetë Chelseat por i veprimeve të Putinit.

“Është vetëm një njeri i cili është përgjegjës për këtë dhe ai është Vladimir Putin”, tha Klopp në konferencë për media të premten.

“Nuk e di cili është roli i Roman Abramovichit në gjithë këtë. Por gjatë këtyre viteve mbase mund hamendësosh se ai mbase është shumë i lidhur (me të)”, nënvizoi ai.

Klopp shtoi: “Mendoj se ajo që e bëri qeveria britanike është 100 për qind e drejtë. Nuk është mirë për njerëzit në Chelsea dhe përkrahësit e tij. Por mendoj se qeveria bëri mirë”.

Sanksionet që qeveria britanike i vendosi ndaj oligarkut rus nënkuptojnë se ai nuk do të jetë në gjendje ta shesë klubin.

Chelsea nuk do të këtë të drejtë as të shesë apo blejë lojtarë; nuk i lejohet t’ua vazhdojë kontratat as futbollistëve të vet dhe nuk ka të drejtë të shesë as bileta për ndeshjet e skuadrës.

Vetëm personat që zotërojnë bileta sezonale mund të shkojë në Stamford Bridge për t’i parë ndeshjet e klubit londinez.

Lajme të ngjashme